MENU
klinika

Vëllai i deputetit të PS i drejtoi armë kokës

Dhunimi i kushërinjve/ Si u tentua të fshihej përfshirja e Rexhep Rrajës

08.07.2023 - 10:32

Pamje tronditëse janë shpërndarë ditën e djeshme, ku djali dhe familjarë të deputetit të PS, Rrahman Rraja, ushtrojnë dhunë barbare ndaj 2 personave që po pinin kafe në lokal.

Të dhunuarit janë kushërinj të parë me njëri-tjetrin, të cilët kanë qenë në një kafene, duke pritur të sqaroheshin për çështjen e dëmit të jashtëzakonshëm që po u bëhej banesave të tyre nga shpërthimet në gurore. Në fakt, Policia e Tiranës, e njoftoi sherrin, ashtu siç njoftohen dhjetëra raste me iniciale, por pa përmendur emra dhe të plagosurit.

Mirëpo, ajo që e bën edhe më tronditëse gjithë atë sulm brutal, kriminal e mafioz mbi dy kushërinjtë 45-vjeçar është fakti se ndaj tyre u përdor edhe arma e zjarrit. Me të u kërcënua njëri prej tyre, i cili kishte përfunduar në dyshemenë e lokalit pa ndenja nga dhunimi me shkopinj bejsbolli.

Në njoftimin e mbushur me iniciale, Policia e Tiranës ka njoftuar se nga pala e agresorëve janë identifikuar 10 persona, ndërkohë që në njërën nga videot, e publikuara rreth 24 pas ngjarjes së rëndë shihet të jetë i pranishëm edhe djali i deputetit, Rexhep Rraja, një emër i njohur në fakt prej kohësh për publikun.

Por emri i tij nuk figuron në listën prej 10 inicialesh që Policia ka vënë në dispozicion të medias ditën e djeshme. Dy të dhunuarit kanë përfunduar në spital, nga ku kanë nisur të vënë në alarm median për të bërë publike aktin çnjerëzor ndaj tyre.

Bëhet fjalë për Bilbil dhe Jashar Maja, të dy 45-vjeçarë, të cilët përfunduan me plagë të rënda në spital, ku u bë me dije se Bilbili është në gjendje të rëndë. Por historia e atij sulmi farefisnor kundër dy djemve që kanë kërkuar dhe denoncuar kërcënimet që iu bëheshin banesave të tyre nga shpërthimet në gurore, vijon me filmin e kryer nga njëri prej agresorëve, i cili ka marrë edhe pamjen traumatike, kur Bilbili është pandjenja në pllakat e kafenesë dhe një pistoletë i drejtohet në kokë.

Thuhet se ishte njëri nga vëllezërit e deputetit, Flamur Rraja! Inicialet e emrit të tij, janë listuar nga policia si person i shpallur në kërkim tashmë.

GURORJA DHE ANKESAT
Jashar Maja, është njëri nga dy personat e dhunuar, i cili ka mundur të shpëtojë teksa është tërhequr zvarrë për të dalë në rrugë. Ai tregon historinë brutale të sulmit po ashtu edhe neglizhencën e Policisë. Ai tregon se e ka telefonuar nr. 129, por Policia ka ardhur pas dy orësh e për pasojë as ambulancë nuk kanë dërguar t’i marrin dy 45- vjeçarët e dhunuar.

Jashari ka folur për mediat gjatë duke hedhur dritë mbi konfliktin e nisur për shpërthimet në guroren, pronar i së cilës është kushëriri i parë i deputetit socialist. Pronari, Përparim Rraja, është shoqëruar bashkë me disa persona të tjerë por është lënë i lirë, ndërkohë që në pranga, gjithnjë sipas policisë është mbajtur i biri i tij, Ineidi.

Teksa Bilbil Maja është në gjendje të rëndë, Jashari ka zbuluar për të gjithë opinionin publik të vërtetën e atij dhunimi dhe poshtërimi që 10 burra të fisit Rraja iu bënë vetëm pse denoncuan kërcënimin që iu vine nga gurorja.

Ai tregoi se kanë protestuar disa herë në atë zonë dhe tha se policia ka frikë të reagonte ndaj fisit Rraja, të cilët ditën e enjte i kanë dhunuar brutalisht në mes të lokalit së bashku me kushëririn e tij, Bilbil Majën.

Jashari thotë se kushëriri i tij ndodhet në gjendje shumë të rëndë ndërsa shton se nuk ka për t’ia falur asnjëherë fisit Rraja dhunën dhe dëmin që u ka bërë në banesa: “Ne po pinim kafe me djalin e xhaxhait dhe me inxhinierin Fredi Llupo. I thamë inxhinierit për minat se na kanë dëmtuar shtëpitë. Pas 2 minutave, sa kishim porosit kafen, kanë ardhur 10-15 vetë fisi Rraja, na kanë goditur e na kanë dëmtuar. Po diskutonim për plasjen e minave, por s’na lanë, na qëlluan me çdo gjë. Unë s’i kam borxh Xhelal Rrajës. Duhet t’i dënojë shteti. Nëse nuk vepron shteti kjo punë do të zgjidhet individualisht. Ne kemi protestuar për guroren, por nuk na është dhënë zgjidhje nga shteti. Dje po pinim kafe dhe kërkonim zgjidhje nga inxhinieri por na rrahën. Ne kemi ardhur nga jashtë dhe i kemi ndërtuar ato shtëpi.

Nëse ka shtet, duhet të veprojë. Njoftuam dje Policinë, por erdhi pas dy orësh. Ne jemi vonuar shumë për në spital se nuk vinte ambulanca. Kemi mbërritur me vonesë në spital në gjendje të rëndë. Policia s’kishte makinë të na çonte tek Spitali i Traumës. Policia ka frikë nga ata. Kushëriri im, Bilbili, është ne gjendje të rëndë, ka dëmtime në kokë e trup. E kemi çuar në spital privat. Kërkoj drejtësi dhe dëmshpërblim për shtëpinë. Na kanë dëmtuar shtëpinë dhe na kanë rrahur. Nuk ua fal sa t’i bie dielli tokës”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


I përfshirë në konflikt edhe vëllai i deputetit të PS!

Sherri për guroren/ Detajet nga përplasja mes dy fiseve