Zjarrfikës, vullnetarë dhe banorët po luftojnë për të katërtën ditë me flakët në Greqi. Situata është përmirësuar në disa fronte, por rreziku mbetet ende i lartë pasi edhe temperaturat pritet që sot të arrijnë në 44 gradë celsius në vendin fqinj.
Zjarret aktive ka ende në Megara, Lutraki, Lakonia dhe Rodos. Shqetësimi më i madh është fokusuar te zjarri që ra të martën në një zonë pyjore në Rodos . Ky është një zjarr shumë i vështirë për shkak të terrentit, ndërkohë që digjet pemë shumë të larta, mbi 15 metra, gjë që vështirëson edhe më shumë punën e forcave tokësore që veprojnë aty.
Në frontet e Atikës Perëndimore mëngjesin e së enjtes gjendja duket shumë më e mirë krahasuar me ditët e mëparshme. Në Mandra dhe Dervenochoria ka disa zjarre, ku për shuarjen e zjarreve po punojnë mjetet ajrore.
Ministri i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Vasilis Kikilias, ka bërë me dije se një 30-vjeçar është arrestuar pasi ka rrëfyer se ka vendosur qëllimisht tre zjarre, dy ditët e fundit dhe një vitin e kaluar dhe do të dërgohet në prokurori.
E teksa situata vijon të jetë e vështirë, në Greqi sot pritet që të mbërrijnë nga Izraeli dy avionë zjarrfikës Air-Tractor. Më herët qeveria greke ka kërkuar ndihmën e ndërkombëtarëve për të ndihmuar në shuarjen e këtyre zjarreve.
© Credits newsbomb.gr