MENU
klinika

Analiza

E ardhmja e Putinit, rrethuar nga hije misteri…

01.07.2023 - 09:30

Pas një fundjave tejet të trazuar, rebelimit të kreut të kompanisë ushtarake private ruse Wagner, Yevgeny Prigozhin, dhe sulmit të papenguar të trupave të tyre në Moskë, i pasuar nga një tërheqje po aq tronditëse, të gjithë sytë e Perëndimit janë drejtuar nga Moska. Megjithatë, siç shkruan “Politico”, në një analizë të saj, “askush nuk e di se çfarë po shikon”. Kështu, shtrohen pyetje të reja, për çfarë e pret Moskën në vazhdim.  Mbase rebelime të reja, mbase ashpërsimi i luftës në Ukrainë, mbase përdorimi i armëve bërthamore. Duket se asgjë nuk është e sigurt, as që fundi i regjimit të Putinit është i pashmangshëm. Tani një mori skenarësh të vështirë për t’u imagjinuar deri kohët e fundit, madje edhe të çuditshëm, duket se mund të bëhen realitet, më shpejt seç mendohet. Një gjë është e sigurtë, anëtarët e Wagner ende po rekrutojnë njerëz për të luftuar në Ukrainë, pavarësisht se Vladimir Putin i shpalli ata “tradhtarë” për rebelimin e tyre.

Misteret në Kremlin

Pyetja më e rëndësishme është sigurisht se çfarë do të bëjë presidenti rus më pas dhe çfarë do të ndodhë me të. Duket e paqartë se kush mund të jetëpasuesi i mundshëm i Vladimir Putini. “Ajo që unë mendoj se vjen natyrshëm është një represion edhe më i madh në Rusi,” beson Laurie Bristow, ish-ambasadore britanike në Rusi nga 2016 deri në 2020. Por kjo nuk ka ndodhur ende. Një diplomat i Evropës Lindore thotë se Putini mund të ndryshojë kushtet e marrëveshjes së tij me kreun e Wagner në çdo kohë. Kjo, shkruan “Politico”, krijon edhe më shumë spekulime se çfarë do të sjellin muajt e ardhshëm. Edgars Rinkevics, ministri i jashtëm i Letonisë dhe presidenti i zgjedhur i vendit, mendon se ka disa opsione, nga, më shumë shtypje në “shtëpi” tek përpjekja për të nisur një lloj ofensive në Ukrainë.

Rrëzimi i Putinit

Dhe ndërsa shumica e ekspertëve besojnë se Putini do të qëndrojë në pushtet, të paktën tani për tani, në Perëndim është e qartë se skenari në të cilin ai largohet, me apo pa dëshirë, gjithashtu duhet të merret parasysh. “Kaosi gjithmonë mbart rreziqe, por do të vijë koha kur pozicioni i Putinit do të dobësohet dhe ai do të zëvendësohet,” beson një diplomat evropian perëndimor. John Lough, një ekspert për Rusinë në institutin Chatham House, thotë se beson se Putini ndoshta nuk do të jetë në pushtet brenda një viti.  Emily Ferris, një studiuese në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, argumenton se udhëheqësi i ardhshëm rus ka të ngjarë të jetë një zyrtar i përkushtuar, mbase pjesëtari i sigurimit dhe që është në gjendje të kontrollojë oligarkët.

Lufta në Ukrainë

Zyrtarët perëndimorë po përpiqen të kuptojnë po ashtu se si kryengritja e dështuar e Wagner-it do të ndikojë në gjendjen e fushëbetejës në Ukrainë. “Një nga gjërat që duhet të shikojmë me shumë kujdes gjatë ditëve të ardhshme është nëse morali në ushtrinë ruse do të bjerë,” thotë ish-ambasadori britanik Bristow. Një zyrtar i lartë i mbrojtjes i Evropës Qendrore thekson se dinamika në fushën e betejës mund të ndryshojë nëse forcat e grupit Wagner nuk përfshihen më në Ukrainë. “Nëse grupi shpërbëhet dhe nuk vendoset më në Ukrainë, ai do të zvogëlojë kapacitetin sulmues ushtarak të Rusisë”, tha ai. Presidenti i sapozgjedhur letonez Rinkevics thekson se ka grupe ushtarake private në Rusi dhe se edhe më shumë mund të shfaqen ndërsa pozicioni i Putinit dobësohet.

A military column of Wagner private mercenary group drives along M-4 highway, which links the capital Moscow with Russia’s southern cities, with smoke from a burning fuel tank at an oil depot seen in the background, near Voronezh, Russia, June 24, 2023. REUTERS/Stringer

Armët bërthamore

Ekziston edhe çështja e armëve bërthamore, që shqetëson më shumë Perëndimin. Por shumë ekspertë thonë se kanë besim se armët bërthamore nuk do të bien në duar të gabuara. “Është shumë e vështirë të imagjinohet një situatë ku shteti rus humb kontrollin e arsenalit të tij bërthamor”, thotë Bristow. “Unë jam mjaft i sigurt se armët e tyre bërthamore mbeten të sigurta dhe nën komandën e GUMO-s së 12-të,” tha  William Alberque, ish-drejtor i qendrës së kontrollit të armëve të NATO-s,duke iu referuar administratës së Ministrisë së Mbrojtjes ruse që mbikëqyr arsenalin bërthamor të Rusisë.Por vetë GUMO-ja e 12-të, tha Alberque, mund të bëhet një prodhues i “mbretërve” në lojën e ardhshme të froneve të Rusisë. Pra, nëse Putini humbet pushtetin, pasardhësit e tij të mundshëm mund të kundërshtojnë udhëheqjen e fuqishme të administratës dhe kushdo që merr mbështetjen e tyre do të jetë në pozicioni më i mirë për të fituar betejën për fronin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Prigozhin fitoi 80 miliardë rubla"

Putin: Wagner u financua plotësisht nga Rusia

Çfarë do të bëjë Putin për Bjellorusinë?

ANALIZA: Katër opsione për Moskën