MENU
klinika

"Opozita të distancohet"

Edi Rama i del në mbrojtje Albin Kurtit: E turpshme se si kapen për fyti shqiptarët

13.07.2023 - 12:34

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas situatës së tensionuar në Parlamentin e Kosovës, ku deputetët e Partisë Demokratike dhunuan kryeministrin Albin Kurti.

Përmes një postimi në “Twitter” kryeministri Rama i ka dalë në mbrojtje Kurtit duke e cilësuar si një ngjarje turpi, teksa thekson se si ndihen aleatët kur shohin që shqiptarët kapen për fyti dhe nuk luftojnë me ide dhe fjalë.

Ndër të tjera, kryeministri uron se opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit dhe jo me shembullin e forcës.

“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit! Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, shkruan Rama.

Ditën e sotme deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës goditën me grushta ministrat dhe kryeministrin Albin Kurti, i cili po mbante fjalën e tij në Foltoren e Kuvendit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN