MENU
klinika

Kriza demografike

Emigracioni i lartë/ Thellohen mungesat në tregun e punës

06.07.2023 - 08:16

Kriza demografike që po përjeton vendi me emigracion të lartë, rënie të lindjeve dhe plakje të popullsisë po thellon vit pas viti mungesat në tregun e punës.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vit pas viti, vendet e reja të punës në dispozicion janë në më shumë se në një të tretën zëvendësime. Agjencia Kombëtare e Punësimit, në një analizë të detajuar për treguesit e punësimit, vuri në dukje se 33% e vendeve të lira të punës janë për zëvendësimin e punonjësve që dalin në pension, ose ikin në emigracion. Të dhënat që i takojnë vitit 2021, tregojnë se bizneset shpallën 24,965 vende të lira pune, prej të cilave 33% ishin zëvendësime dhe 77% ishin vende të hapura rishtas. Në vitin 2017, vendet e lira të punës për zëvendësim përbënin vetëm 17% të totalit të vakancave të shpallura nga bizneset.

Dekadën në vijim, vendet e lira të punës të krijuara nga ata që dalin në pension do të rriten së tepërmi, për shkak se hyn në fazën e pleqërimit gjenerata e bumit të lindjeve në vitet 60. Demografët që merren me projeksionet e popullsisë lajmërojnë se shumë shpejt, popullata e re në moshë nuk do të mjaftojë për zëvendësimin e pensionisteve.

Në shifra absolute, hyrjet e reja të forcës së punës nuk do të jenë të mjaftueshme për të zëvendësuar popullatën që e kalon moshën e punës. Projeksionet e reja të popullsisë tregojnë se në vitin 2036, popullsia e grup-moshës 0 deri në 14 vjeç do të ulet me rreth 70% e popullsisë së të njëjtës grup-moshë në vitin 2021, si për meshkujt, edhe për femrat. Nga ana tjetër, popullsia e grupmoshës 64 vjeç e lart do të rritet me rreth 40% për meshkujt dhe 45% për femrat. Në nivel absolut, hyrjet e reja në tregun e punës nuk do të jenë të mjaftueshme për të zëvendësuar largimin e popullsisë që nuk është më në moshë pune.

Ekspertët e çështjeve demografike analizojnë se Shqipëria është përballur vonë me këtë fazë të tranzicionit demografik, por mund të mësojë nga përvoja e shumicës së vendeve që janë përballur me këtë sfidë në dekadat e shkuara. Kjo nënkupton se punëdhënësit shqiptarë po përballen dhe do të vazhdojnë të përballen në të ardhmen e afërt me sfida serioze në tërheqjen e forcës së punës me kualifikim të ulët dhe gjysmë të kualifikuar për të plotësuar vendet e lira të punës në rritje.

Popullsia në moshë pune gjithashtu do të zvogëlohet dhe plaket, sipas projeksioneve të reja të popullsisë. Në 30 vitet në vijim, mosha mesatare e saj duhet të rritet nga 41.7 në 46 vjeç. Nëse pranojmë përkufizimin standard europian të moshës ekonomikisht produktive (20-64 vjeç), mund të themi se kjo madhësi e segmentit të popullsisë arriti afërsisht 1.74 milionë njerëz në fund të vitit 2020.

Pas 30 vjetësh, deri në fund të vitit 2050, kjo madhësi e kategorisë së moshës duhet të zvogëlohet në rreth 1.32 milionë banorë, ose 24% më pak./Monitor