MENU
klinika

Ekspertët shpjegojnë shkaqet që çuan në kolapsim

Eurobondi 600 milionë euro çoi në kolaps valutat

25.07.2023 - 11:18

Eurobondi 600 milionë euro që qeveria shqiptare mori muajin e kaluar në tregjet ndërkombëtare ka çuar në kolaps të gjitha valutat. Monedha europiane u këmbye sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë ditën e djeshme për 101 lekë. Ekspertët kanë treguar shkaqet që çuan në kolapsim dhe pse eurobondi i dha goditje katastrofike monedhës evropiane duke shkaktuar një dëm shumë të madh ekonomik për shqiptarët. Sipas gazetarit ekonomik Klodian Tomorri, në gjashtë muajt e parë të vitit, buxheti i shtetit u mbyll me një sufiçit prej 46 miliardë lekësh. “Pra, në periudhën janar-qershor të këtij viti, qeveria i ka marrë tregut përmes taksave, tatimeve apo burimeve të tjera 46 miliardë lekë më shumë se sa ka kthyer mbrapsht përmes shpenzimeve. Këto para rrinë të fjetura nën dyshekun e qeverisë. E megjithatë, sufiçiti nuk e tregon të gjithë historinë. Veç kësaj janë dhe paratë e marra përmes huamarrjes së brendshme. Sipas të dhënave zyrtare, për gjysmën e parë të vitit, qeveria ka marrë 33.6 miliardë lekë të tjera përmes huamarrjes në tregun e brendshëm. Kjo është tharje e tregut nga likuiditeti në shkallë të gjerë. Për ta thënë shkurt, vetëm përmes balancës buxhetore dhe huamarrjes së brendshme, qeveria i ka marrë tregut 80 miliardë lekë duke mos ja kthyer mbrapsht. Pra oferta e monedhës kombëtare ne treg është 80 miliardë lekë më pak nga sa duhet të ishte në kushte normale. Sa më pak lekë të ketë në treg, aq më shumë monedha kombëtare forcohet ndaj të gjitha monedhave të tjera. Por rrudhja e ofertës së lekut në treg është vetëm njëri mekanizëm përmes të cilit, qeveria po e ndikon masivisht kursin e këmbimit. Mekanizmi tjetër është ai i operacioneve me borxhin”, u shpreh ai.

Eurobondi
Sipas Klodian Tomorrit, marrja borxh e 600 milionë euro nga qeveria në tregjet ndërkombëtare ka futur në kolaps euron. “Muajin e kaluar qeveria shqiptare mori 600 milionë euro borxh në tregjet ndërkombëtare. Ndërsa vendi po përballej me ofertë të lartë të euros, siç pranohet nga të gjithë, qeveria vendosi që të sjellë edhe më shumë euro në Shqipëri. Oferta e lartë e euros në tregun vendas, e cila po diktonte zhvlerësimin e shpejtë të monedhës europiane, duhet ta kishte shtyrë qeverinë që një pjesë të borxhit në euro ta merrte në tregun e brendshëm. Përmes emetimit të obligacioneve në valutë, Ministria e Financave mund të kishte ngritur të paktën 200 milionë euro nga tregu i brendshëm, për sa kohë ky i fundit po përballej me një ofertë të madhe të euros. Përmes këtij operacioni, qeveria do të kishte tërhequr një pjesë të sasisë së euros nga tregu, duke lehtësuar ndjeshëm presionet për mbiçmimin e lekut ndaj saj. Por ajo bëri të kundërtën. Solli edhe më shumë euro nga jashtë, edhe pse tregu po ‘vuante’ nga teprica e euros. Nëse këtyre zhvillimeve u shton dhe situatën energjetike, ku ndryshe nga një vit më parë ku tërhoqi 503 milionë euro nga tregu për të blerë energji nga jashtë, këtë vit KESH nuk ka importuar thuajse fare, atëherë koktejli është i plotë. Askush nuk mund të thotë, nëse qeveria, po e ‘saboton’ qëllimisht apo nga paaftësia për të menaxhuar më mirë financat publike. Por një gjë mund të thuhet me siguri maksimale. Euron në tregun e brendshëm po e vret qeveria. Bashkë me të po vret edhe eksportuesit dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare”, përfundoi ai.

Lidhjet e Shqipërisë me eurozonën
Ndërsa për ekspertin për çështjet ekonomike Adrian Civici ekonomia shqiptare nuk varet vetëm nga faktorët e brendshëm, por një ndikim direk dhe indirekt ka klima e vendeve europiane. “Shqipëria është e lidhur me eurozonën dhe zonën e shteteve evropiane, por njëkohësisht duke pasur parasysh rolin e remitancave në ekonominë shqiptare dhe përqindja më e madhe e emigracionit ekonomik shqiptar është në këto vende dhe çdo cenim që mund të ketë ekonomia e këtyre vendeve reflektohet direkt ose indirekt në vendin tonë”, tha ai. Duke analizuar trajektoren ekonomike, por edhe zhvillimet gjeopolitike, Civici tha se parashikohet që niveli i inflacionit në Shqipëri të shkojë në kufirin e 3%, në mesin e dytë të vitit 2024. “Më shumë se afrimi në objektivin e BSH në 3%, gjykoj se Banka e Shqipërisë vlerëson efektet që ka pasur deri tani kjo politike monetare shtrënguese në futjen e inflacionit në një trajektore rënëse. Niveli 4.5% është një nga nivelet më të ulëta të inflacionit. Politika monetare i ka dhënë efektet e saj, pritet që të japë edhe në muajt në vijim, dhe përderisa jemi në një tendencë rënëse, pavarësisht e shpejtë apo e ngadaltë nuk mendoj se Banka e Shqipërisë do jetë e detyruar të bëjë ndërhyrje të tjerë në politikën monetare duke rritur më tej normën bazë të interesit. Mendohet se në gjashtëmujorin e dytë të 2024, nëse do ndodhin goditje të tjera, inflacioni do vijë duke u stabilizuar duke iu afruar kufirit 3%”, tha ai.

Dy problemet kryesore që po ‘vuan’ ekonomia
Mes tjerash, eksperti u ndal edhe tek problemet më të mëdha me të cilat po përballet sot ekonomia shqiptare. Sipas Civicit, dy janë sfidat të cilët po e kushtëzojnë ekonominë tonë dhe ato janë zhvlerësimi i monedhave të huaja si dhe mungesa e fuqisë punëtore. Ai theksoi se shumë biznese kanë mungesë të theksuar të punonjësve, një sfidë kjo, e cila sipa Civicit pritet të reflektohet në bilancet jo të mira të ekonomisë. “Problemi kryesor që po ndikon në ekonominë shqiptare çështja e dobësimi, i euros, dollarit dhe paundit, dhe forcimit të lekut, i cili ka sjellë një sërë vështirësish për bizneset ekspertuesit, por edhe në sektorin e turizmit dhe të shërbimeve. Së dyti, është problemi i mangësive të burimeve njerëzore, e cila vazhdon për shumë biznese të jetë një problem”, shtoi ai.

Ja përfituesit më të mëdhenj të kësaj situate
Nga ana tjetër kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku shprehet se qeveria dhe importuesit janë përfituesit e mëdhenj të zhvlerësimit të euros dhe fuqizimit të lekut. “Zhvlerësimi i Euros dhe forcimi i lekut nuk do të kishte problem nëse do vinte ri rrjedhojë e fuqizimit të ekonomisë shqiptare. Këtu tabloja është e kundërt. Ne brenda një viti kemi zhvlerësim të euros me 15% dhe nuk ndalon. Ata që përfitojnë janë importuesit që duke zhvlerësuar euron, fitojnë. Fiton gjithashtu qeveria shqiptare që bën pagesat që ka për borxhin publik dhe këto janë të mëdha. Nëse ekonomia shqiptare do të funksiononte si një ekonomi normale, do të përfitonin edhe qytetarët. Ko sepse çmimet e importit do të ishin më të lira, por të gjithë jemi dëshmitarë që çmimet nuk kanë rënë. Pra ndërkohë që euro zhvlerësohet me 15%, çmimet e shportës jo vetëm që nuk kanë rënë, por janë rritur. Të goditur janë eksportet, agro-industria dhe bujqësia. Ky është një stimul shumë i madh për importet”, tha ai.

Ja pse ra euroja
Buxhuku tha në një intevistë dje se zhvlerësimi i euros nuk ka ardhur përmes rritjes së ekonomisë shqiptare, por nga faktorë të tjerë, ndër të cilët dhe futjen në treg të euros përmes burimeve informale. “Shpjegimi i parë vjen nga burimi informal. Euro është zhvlerësuar brenda një viti me mbi 15% dhe zhvlerësimi vazhdon. E dyta, në muajt e verës ndikon turizmi. Duhet të kemi parasysh që shumica e turistëve vijnë nga vendet e BE-së. Nga ana tjetër janë edhe manovrat jo të sakta financiare nga qeveria. Është lënë “le të bëhet çfarë të bëhet”. Burimet informale të ardhjes së euros nuk janë të parashikueshme dhe e vënë ekonominë në gjendje të vështirë. Qeveria dhe Banka kanë bërë rolin e indiferentit. Kam parë raste kur qeveria shqiptare emetoi eurobondin 600 milionë euro dhe nuk iu drejtua tregut vendas. Në të njëjtën kohë qeveria ka marrë lekë përmes taksave dhe sot jemi -50% për investimet. Kjo do të thotë se jemi minus me qindra milionë lekë. Ka një kombinacion gjërash që nuk e di nëse është paaftësi apo strategji e mirëmenduar, për të dobësuar në mënyrë artificiale euron”, tha ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Eksperti: Do arrijë në 90-95 lekë

Euro mund të shkelë “vijën e fundit të kuqe”