MENU
klinika

Pozicioni negativ i kapitalit thellohet më tej

Eurobondi zmadhon bilancin e Bankës së Shqipërisë

17.07.2023 - 11:40

Eurobondi i radhës i siguruar në tregjet financiare nga qeveria shqiptare ka ndikuar edhe në zmadhimin e bilancit të Bankës së Shqipërisë.

Sipas të dhënave të raportuara nga banka Qendrore, totali i aktiveve në fund të muajit qershor ka arritur vlerën më të lartë historike prej 763 miliardë lekësh, me një rritje prej 50 miliardë lekësh ose 6.9% krahasuar me muajin maj.

Efektin dërrmues në rritjen e totalit të aktiveve të Bankës së Shqipërisë e ka dhënë depozitimi nga qeveria i parave të Eurobondit prej 600 milionë eurosh, ndonëse rritja prej tyre është balancuar pjesërisht nga ulja e vlerës së zërave të tjerë të aktiveve.

Depozitimi i Eurobondit pritet të sjellë një efekt të ndjeshëm edhe në rritjen e rezervës valutore të bankës së Shqipërisë. Vlera e mjeteve të rezervës, e shprehur në monedhën Euro, pritet të publikohet në fund të këtij muaji.

Rritja e rezervës valutore nga huamarrja nëpërmjet Eurobondeve janë të përkohshme dhe ka tendencën të ulet gradualisht, me përdorimin e këtyre fondeve për shpenzimet qeveritare. Ndërkohë, vlerësohet se afërsisht gjysma e Eurobondit do të përdoret për të riblerë një pjesë të një Eurobondi të mëparshëm, që maturohet në vitin 2025, por megjithatë suksesi i kësaj manovre do të varet edhe nga vullneti i investitorëve për ta shitur Eurobondin para afatit.

Në të kundërt, tepricat e mundshme mund të përdoren për të zëvendësuar një pjesë të borxhit të brendshëm, përmes operacioneve të brendshme të buyback ose mosrifinancimit të insturmenteve që maturohen këtë vit.

Por, rritja e mëtejshme e rezervës valutore në kushtet kur Leku vazhdon të forcohet kundrejt shumicës së valutave në të cilat kjo rezervë mbahet pritet të sjellë efekte të mëtejshme negative në bilancin e Bankës së Shqipërisë.

Sipas ligjit, fitimet ose humbjet nga kursi i këmbimit akumulohen në rezervën e rivlerësimit të bankës. Në fund të muajit qershor, gjendja e rezervës ishte negative në vlerën e -51.7 miliardë lekëve, nga -26.9 miliardë lekëve që ishte pozicioni në fund të vitit 2022.

Efekti negative nga forcimi i lekut dhe pjesërisht edhe nga rritja e normave të interesit të titujve në valutë të huaj kanë keqësuar edhe gjendjen e kapitalizimit të Bankës së Shqipërisë. Në fund të qershorit, pozicioni negativ i kapitalit të bankës qendrore u thellua më tej në vlerën rekord të -17.5 miliardë lekëve.

Ligji “Për Bankën e Shqipërisë” parashikon që Qeveria emeton tituj të borxhit me normë interesi të tregut për të mbuluar vlerat negative të rezervës së rivlerësimit. Sipas informacionit në bilancin e audituar të Bankës së Shqipërisë, besohet se qeveria shqiptare ka emetuar përsëri tituj boxhi për të mbuluar humbjet e reja Bankës së Shqipërisë, brenda muajit prill të këtij viti.

Humbjet e lidhura me rivlerësimin e rezervës valutore në vetvete nuk cenojnë rolin e bankës së Shqipërisë dhe aftësinë e saj për të përmbushur në vijimësi detyrat e saj ligjore.

Por, sa më shumë që thellohen humbjet në bilancin e Bankës së Shqipërisë nga kursi i këmbimit, aq më shumë do të rritet barra për buxhetin e shtetit, në formën e borxhit të ri të emetuar për të mbuluar këto humbje.

Deri tani, forcimi i lekut ka luajtur një rol pozitiv në llogaritë e qeverisë, duke sjellë një ulje të ndjeshme të borxhit publik në valutë të huaj. Nga ana tjetër, efekti negativ i kursit në bilancin e Bankës së Shqipërisë do t’i “gllabërojë” një pjesë të përfitimeve nga forcimi i lekut, për shkak të nevojës për të emetuar borxh të ri për të mbuluar humbjet e Bankës së Shqipërisë.

Efekti i deritanishëm i pritet të jetë qartësohet me publikimin e buletinit të borxhit publik për tremujorin e dytë të vitit.//Monitor