MENU
klinika

Transmetimi i futbollit shqiptar

FSHF hap garën për të drejtën televizive

21.07.2023 - 14:39

Pak javë pasi Federata Shqiptare e Futbollit i hoqi të drejtën e transmetimit të futbollit shqiptar shoqërisë “Oversport”, vetëm pas një sezoni edhe pse kontrata ishte 3-vjeçare, organi i futbollit në vend bën me dije se ka hapur garën për të gjitha televizionet e interesuara që duan të marrin të drejtën e transmetimit.

“Federata Shqiptare e Futbollit në bazë të procedurave dhe si pronare e të drejtës së transmetimit të veprimtarive sportive të organizuara prej saj, në bazë të nenit 35 të Ligjit 79/2017 kërkon të shesë të drejtën televizive për garat futbollistike, për territoret e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës se Kosovës për një periudhë 3-vjeçare”, njofton FSHF

Federata jep edhe afatin prej një jave për kompanitë e interesuara, teksa dokumentacioni duhet të dorëzohet i plotë.

“FSHF ka çelur zyrtarisht garën për të drejtën televizive të kampionatit kategoria “Abissnet Superiore” si edhe fazës “Final 4”, Kategoria e Parë, si edhe të Kupës së Shqipërisë e Superkupës së Shqipërisë. Të gjithë të interesuarit duhet të paraqesin ofertën ose ofertat e tyre ekonomike shoqëruar me dokumentet e specifikuara në Aneksin Nr.1 brenda datës 28.07.2023 ora 15.00 pranë selisë së Federatës Shqiptare të Futbollit në Tiranë”, thuhet në njoftim.

FSHF bën me dije se ofrimi i sinjalit do sigurohet nga institucioni, që duket se ka pajtuar tjetër kompani.

“Ofertat e paraqitura duhet të përfshijnë kuotimin bazuar vetëm për të drejtën e transmetimit, tatimin mbi vlerën e shtuar dhe dokumentet shoqëruese, duhet të jenë në formë origjinale ose kopje të noterizuara. Prodhimi dhe ofrimi i sinjalit ne formatin Full HD do të sigurohet nga FSHF dhe do t’i jepet transmetuesit fitues gati për transmetim. Mungesa e dokumenteve të kërkuara apo paraqitja e tyre pas afatit, përbën shkak për skualifikimin nga gara”, mbyllet komunikimi.