Disa orë pasi kreu krimin, duke vrarë me armë zjarri gruan e tij dhe më pas e hodhi në një gropë septike, policia e Korçës thotë se ka gjetur të vetëvrarë autorin, shtetasin Gjergji Mullalli 55 vjeç.
Raportohet se ai është gjetur pa shenja jete në afërsi të fshatit Zëmblak, ku një ditë më parë ndodhi krimi i rëndë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ku 55-vjeçari sipas policisë vrau me armë zjarri Luiza Mullallin dhe më pas e hodhi në një gropë septike.
Sipas sqarimit të policisë viktima dhe autori kanë kryer disa seanca gjyqësore për divorc. Ndërkohë sipas dëshmisë së familjarëve Luiza ishte me urdher mbrojtje.
Gruaja jetonte me djalin, teksa dy vajza i kishte të martuara dhe jetonin në Greqi. Sipas familjarëve, bashkëshorti kishte tentuar dhe më parë ta mbyste.
DESHMIA E BABAIT
Sipas babait të vajzës, policia e kishte thirrur disa herë 47-vjeçarin, por nuk e kishte proceduar apo ndaluar. Ai ka treguar per mediat, si e ka marre vesh lajmin e hidhur.
“Ishim në shtëpi, më mori djali se e kishte marrë në telefon për të biseduar dhe vajza nuk ja hapte telefonin. Djali më mori në telefon dhe më tha që hajde se nuk e hap telefonin dhe kushedi çfarë ka ndodhur. Erdhëm këtu pastaj, lajmëruam policinë. Kërkuam vërdallë derisa e gjeti policia. E kishin hedhur trupin nga veranda.
Vajza ishte një vit me urdhër mbrojtje, e dhunonte vajzën. Një ditë më mori ne telefon çupa dhe më tha që kanë hyrë në shtëpi. I thashë që njofto policinë. E kishte lajmëruar policinë. Divorcin e kishte kërkuar vajza, sepse ai e dhunonte. E dhunonte edhe këtu edhe kur ishin në Greqi. Një rast donte ta mbyste, por çupa i shpëtoi nga duart.
Policia e ka thirrur disa herë, por nuk e ka proceduar.
Nuk e dimë me ca e ka vrarë, të shohim ca do thonë ata të ekspertizës”, tregoi babai i 46-vjeçares.