Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është treguar i ashpër në deklaratat e tij drejtuar kryeministrit Albin Kurti, menjëherë pas mbledhjes së kryesisë së AAK-së.
Haradinaj, në një deklaratë për media, e ka akuzuar Kurtin se po rrezikon ekzistencën e Kosovës si dhe marrëdhëniet me aleatët.
Duket se fokusi i mbledhjes së kryesisë së AAK-së ka qenë te hapat që do të ndërmerren për t’u përballur me Kurtin dhe qeverinë e tij, e një prej tyre është edhe inicimi i mocionit të mosbesimit, njoftuar sot nga Haradinaj.
“Kurti dhe Qeveria Kurti është në drejtim të rrezikshëm dhe po e rrezikon ekzistencën tonë, zbatimin e ligjit në veri, marrëdhënien me aleatët tanë. Duke parë këtë drejtim, kemi iniciuar mocion mosbesimi për qeverinë Kurti.
Sot diskutuam edhe forma dhe veprime tjera potenciale për tu përballur me Kurtin, me qeverinë Kurti, me rreziqet që ia shkakton vendit. Njëkohësisht vendosëm edhe krijimin e disa strukturave për t’u përballur me atë qe po vjen dhe situatat rajonale. Nuk do t’i japim krejt detajet”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së tha se është diskutuar si mundësi edhe krijimi i një qeverie të “unitetit kombëtar”, që do të përfshinte të gjitha partitë politike, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke shmangur kështu kalimin e menjëhershëm në zgjedhje.
Sipas Haradinajt, kjo mundësi “do ta kthente Kosovën në normalitet në agjendën euroatlantike”.
“Është e pakuptimtë me u sjell normal në parlament, pra të vazhdojmë me agjendë të zakonshme. Kohë më përpara kemi thënë se nuk është kohë e zakonshme, nuk është situatë e zakonshme, nuk mund të sillemi zakonshëm.
Do të bashkëpunojmë me opozitën për qëndrimet tona në parlament, do të jemi bashkë, nuk do të ndahemi nga partitë tjera në një bojkot në parlament, por njëkohësisht në mundësinë e protestave dhe zhvillimeve tjera, pra ne veç kemi krijuar strukturat tona të brendshme për t’iu përgjigjur situatave dhe rrethanave që vijnë”, tha Haradinaj.