Këshilli Kombëtar i PD-së vendosi dje të anulojë zgjedhjet e datës 29 Korrik 2023. Ky organ, i mbledhur mbrëmë e konsideroi procesin zgjedhor brenda selisë blu, antistatutor dhe farsë.
Këshilli Kombëtar i PD-së i thirrur nga sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhin, kërkon çregjistrimin e Bashës nga partitë politike dhe anulimin e zgjedhjeve të 29 korrikut. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së morën pjesë 245 nga 453 anëtarë në total.
Në mungesë të Kryetarit të Këshillit, u ngrit komisioni drejtues i punimeve që u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi. Pas relatimit të Sekretarit të Përgjithshëm, Këshilli Kombëtar konstatoi dhe pranoi dorëheqjen e datës 21 mars 2022, të kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha, dhe dorëheqjen e datës 17 maj 2023 të Nënkryetarit të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj.
Ndërkohë, u shtyu për në një mbledhje tjetër vlerësimi mbi dorëheqjet e Nënkryetarëve Agron Gjekmarkaj dhe Jorida Tabaku, të cilët i qëndrojnë dorëheqjes së tyre, edhe pse dorëheqjet e tyre nga ana e Këshillit nuk u konsideruan si të parevokueshme. Një tjetër vendim i rendësishëm që mori Këshilli Kombëtar është pezullimi i funksionit të Kryesisë së PD-së.
“Këshilli Kombëtar vërejti se të gjitha vendimet dhe qëndrimet e Kryesisë së Partisë duke filluar nga data 6 Qershor 2023, janë antistatutore, të marra pa kuorum, dhe nuk kanë mbajtur në konsideratë pasojat që mund të sjellin në përçarjen dhe dobësimin e mëtejshme të partisë. Aktet e Kryesisë së Partisë kanë arritur deri më aty sa kanë përdorur, falsifikuar dhe prodhuar në mënyrë të paautorizuar vulën e PD, përmes një vendimi nul dhe antistatutor. Të gjitha këto vendime janë anuluar dhe Këshilli Kombëtar ka vendosur të pezullojë veprimtarinë statutore të Kryesisë së PDSH, deri në verifikimin e rregullshmërisë statutore të përbërjes së saj”.
Ditët e fundit ka pasur përplasje të forta mes grupeve të krijuara në PD, teksa Gaz Bardhi ka këmbëngulur fort në mosmbajtjen e zgjedhjeve për kreun e selisë blu, të cilat ishin parashikuar për këtë të shtunë data 29 korrik, e ku Basha kërkonte rikthimin “de juro” në krye të partisë.
REAGIMI
Vendimet e marra nga Këshilli Kombëtar i PD-së për anulimin e zgjedhjeve të 29 korrikut duket se nuk kanë shqetësuar kandidatin pretendent, Lulzim Bashën. Ky i fundit shprehet i sigurt në mbajtjen e zgjedhjeve për kreun e ri të PD, teksa shton se demokratët do të mund të shprehin vullnetin e tyre në një moment vendimtar për këtë forcë politike.
“Të shtunën me 29 korrik demokratët do të shprehin vullnetin e tyre në një nga momentet më të rëndësishme për Partinë Demokratike. Ata do të votojnë jo vetëm për kryetarin, por për të nisur një rrugëtim të ri, të organizimit, ringritjes dhe shndërrimit të PD në alternativën që duan dhe presin shqiptarët”, shprehet ai.
I bindur se PD do të rimëkëmbet, Basha thekson se kjo forcë politike nuk i përket askujt, por vetëm demokratëve. Edhe pse këta të fundit nuk ka mundur t’i udhëheq drejt fitores, Basha thekson se rikthimi do të jetë më i fortë pas sfidave që është përballur.
“Partia Demokratike nuk është pronë e asnjë individi, por investim i përbashkët i demokratëve, të cilët e kanë mbrojtur atë në ditë të vështira dhe pas çdo sfide ia kanë dalë ta bëjnë atë edhe më të fortë. Jam i bindur se kështu do të ndodhë sërish, sepse këtë presin prej nesh shumica e shqiptarëve. Ndonëse jemi përballur me një agresion të pandërprerë, nuk jemi mposhtur, as dorëzuar, por kemi qëndruar e qëndrojmë të vendosur për kauzat tona dhe më të vetëdijshëm se kurrë për vlerat që na bashkojnë e misionin që na thërret”, deklaroi Lulzim Basha.