MENU
klinika

Lutfi Dervishi

Kiko u shpjegon turistëve serbë pse u mbyll Ballkani Hapur

05.07.2023 - 14:03

Pasi mori disa banane dhuratë nga një grup turistësh serb në Ksamil, Kiko e ndjeu veten borxhli dhe në këmbim nisi t’u shpjegonte arsyet se pse Shqipëria mbylli kapitullin e Ballkanit të Hapur.

U mbyll se ishte ndërtim pa leje, tha Kiko, i pa regjistruar në gjykatë, ushtronte aktivitet pa licencë, nuk paguante taksa, nuk kishte asnjë adresë në internet dhe në rrjete sociale. Pra, aktivitet i dyshimtë. Si mund të ekzistojë një projekt kaq i madh pa prani në “Instagram”, e “Tik Tok”? Le që nuk kishte kokërr leku. Vetëm fjalë…

Ju serbët e keni të lehtë, vijoi Kiko, shqiptarët e kanë më të vështirë se fjala hapje dhe mbyllje janë krejt të ndryshme, ndërsa në serbisht “otvoren”, “zatvoren” vetëm një germë ndryshon.

Për mua personalisht, vijoi Kiko. “Ballkani i Hapur” ka qenë dështim total. Nuk arriti të ulë çmimin e bananes.

Këto janë arsye teknike, i tha një prej turistëve serbë. Në Ballkan gjërat janë politike.

Politike dhe estetike, ia ktheu rrufe Kiko. Mua si majmun nuk më lejohet të bëj gabimin e njerëzve që e vendosin politikën në plan të parë. Kjo e ka marrë në qafë Ballkanin.

Për mua problemi ishte dhe mbetet estetik. Kryeministri i Maqedonisë ishte shumë më i shkurtër se Rama e Vuçiç. Siç ka thënë me të drejtë Rama: “estetika është shprehje sipërore e politikës”.

Politikisht, ju lutem shumë mos më ngatërroni, tha Kiko, se kam ndërmend të kërkoj dokumentet për qëndrim të përhershëm në Shqipëri.

Po, mirë, SHBA, BE dhe KE ishin pro “Ballkanit të Hapur”. Pse Shqipëria tani del kundër të gjithëve, pyeti një turiste serbe që po bënte “selfie” me “Iphone 13 +”.

Pro “Ballkanit të Hapur” ka qenë edhe Rusia, u përgjigj Kiko. SHBA, BE, KE janë fuqi beninje, por Rusia është fuqi malinje. Ne nuk duam që Rusia të dalë si një fuqi konstruktive, aq më tepër pas luftës në Ukrainë. Këto gjëra janë më thella seç duken.

-Po si ndodhi që tre vendet u prishën me njëra-tjetrën- vijoi interesimin e tij turisti serb.

Këtu mund vetëm të spekuloj, tha Kiko. është çështje interesash. Ballkani Hapur nënkupton treg të përbashkët. Në BE-sherri më i madh është për kuotat e prodhimit në tregun e përbashkët. Serbia nuk pranoi të legalizonte kultivimin e kanabisit, siç ka bërë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. D.m.th. për mungesë të politikës së përbashkët bujqësore.

Po ju këtë vjet bëtë një konsultim kombëtar dhe një 60% e shqiptarëve e mbështetën Ballkanin e Hapur?

Dje ishte dje. Sot është sot, tha Kiko. Pastaj jo gjithmonë shumica ka të drejtë.

Po ju keni ftuar edhe Greqinë, Italinë dhe Turqinë për t’u futur në Ballkanin Hapur?

E drejtë, u përgjigj Kiko, por nuk shkon që ne të ndërhyjmë në punët e Brukselit. Po sikur edhe vendet e tjera të BE-së të kërkojnë anëtarësim në Ballkanin e Hapur?

A ka ndonjë shans që të rikthehet Ballkani Hapur?

Të paktën për katër vitet e ardhshme as që bëhet fjalë, vijoi Kiko, dhe kjo është çështje teknike. Presidenti serb ka deklaruar në Ohër se ka dhimbje dore dhe nuk firmos asnjë dokument. Dhe duke i besuar atij, kjo dhimbje do t’i vazhdojë të paktën edhe për katër vitet e ardhshme.

Po historia, historia si do ta gjykojë “Ballkanin e Hapur”, pyete turistja serbe ndërkohë që u afrua për të bërë “selfie” me Kikon.

“Ballkani i Hapur” ishte projekt oral. Nuk ka asnjë dokument të shkruar për të, kështu që pa merak se historia nuk do të merret fare me të. Madje, madje megjithëse është projekt oral, as SPAK nuk do t’i kushtojë vëmendje “draga gospoxha” (e dashur zonjë)!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Shoku i tij Martini u vra, ndërsa vetë mori 5 plagë me thikë

Zbardhet dëshmia e 14-vjeçarit tek Trauma!

“Takim kuqezi me shqiptarët e Britanisë“

Kryeministri Rama mesazh para turit me emigrantët në Londër

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin