MENU
klinika

Euro pranë minimumit historik

Korriku e zbret sërish valutën europiane nën 106 lekë

03.07.2023 - 16:13

Për të tetën ditë radhazi, euro është zhvlerësuar ndaj lekut në tregun e brendshëm të këmbimit valutor, duke humbur thuajse të gjithë terrenin e fituar në fillim të muajit të shkuar.

Hyrja në një prej muajve më të nxehtë të sezonit veror dhe pritshmëritë për shpenzime të mëdha nga turistët, e kanë rrëzuar valutën europiane sërish pranë nivelit më të ulët historik.

Kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë për euron fiksohet tanimë në 105.71 lekë, në rënie me 73 pikë ndaj lekut. Ndërsa tregu shpreh pritshmëritë se rënia do të vazhdojë së paku deri në fund të Gushtit.

Zhvlerësimi ndaj monedhës kombëtare është përcjellë edhe nga dollari amerikan, në kuotën e 91.1 lekëve, paundi britanik që këmbehet për 123 lekë dhe franga zvicerane në nivelin 107.9 lekë. Humbjet për të gjitha këto valuta janë të mëdha.