Qeveria e Kosovës ka miratuar dy nisma me shtetin e Turqisë në lidhje me fushën ushtarake.
Nismat e miratuara janë nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë për Bashkëpunim në Fushat Ushtarake të Trajnimeve, Teknikës dhe Shkencës.
Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj tha se këto janë marrëveshje të rëndësishme për të dyja shtet, në fushën e sigurisë që lidhen më trajnimet ushtarake.
Lajmi vjen pas raporteve se ushtria e Kosovës është pajisur me dronët Bayraktar, për të cilët muaj më parë Ministria e Mbrojtjes kishte nënshkruar kontratë me një kompani prodhuese në shtetin e Turqisë. Sipas raporteve, dronët kanë arritur në mars në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe për këtë kishte edhe prani të shtuar të Forcës së Sigurisë në zonën VIP të Aeroportit.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj kishte realizuar gjatë vitit të kaluar edhe një vizitë në Turqi, ku kishte parë nga afër dronët dhe teknologjinë e fundit që po prodhohen në kompaninë Baykar. Po ashtu, edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani vitin e kaluar kishte vizituar fabrikën e dronëve “Bayrakar”.