MENU
klinika

Arrijnë në nivelin më të lartë në një vit

Kreditë me probleme rriten për të dytin muaj radhazi

11.07.2023 - 10:22

Bizneset dhe individët kanë filluar sërish që të vonojnë pagesat e kësteve të kredive që kanë marrë në banka. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se treguesi i kredisë me probleme ndaj totalit të huave të dhëna në ekonomi arriti në 5.23% në muajin maj.

Ndonëse vijon të mbetet pranë minimumit historik, tendenca është në rritje për të dytin muaj radhazi.

Maji ka shënuar nivelin më të lartë që nga korriku 2022, në një sinjal se rritja e interesave, ngadalësimi i ekonomisë dhe inflacioni i lartë po japin efektet e tyre në aftësinë paguese të bizneseve dhe individëve e familjeve për të kthyer huatë që kanë marrë në banka. Në tremujorin e parë të vitit, INSTAT bëri të ditur se Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) vlerësohet me rritje prej 2,72%, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2022.

Ky është ritmi më i ulët i rritjes që nga tremujori i tretë i vitit 2020, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë. Disa prej sektorëve që janë ndër kredimarrësit kryësorë shënuan rritje minimale.

Aktiviteti i industrisë, energjisë dhe ujit pati një rritje me 1,23%. Aktiviteti i ndërtimit pati një rritje me 4,54%. Grupi i aktiviteteve tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor pati rritje prej 3,52%.

Në kahun tjetër, interesat e kredive kanë qenë në rritje të vazhdueshme deri në mars, si rrjedhojë e politikës monetare shtrënguese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, që e ka rritur normën bazë disa herë që nga marsi i 2022-t, duke e çuar në 3% aktualisht nga 0.5% që ishte mbi një vit më parë. Kjo tendencë u reflektua në shtrenjtimin e interesave të kredive e për rrjedhojë dhe të kësteve mujore që paguhen nga bizneset dhe individët.

Megjithatë, pozitivisht ka ndikuar korrektimi i dukshëm në rënie i yield-eve të bonove të thesarit në pjesën e parë të këtij viti. Duke qenë se kreditë në lekë kuotohen në pjesën më të madhe bazuar mbi ecurinë e yield-eve, rënia e tyre ka krijuar frymëmarrje për kredimarrësit gjatë këtij viti, pas rritjes së shpejtë të gjysmës së dytë të vitit të kaluar.

Ndërkohë në maj inflacioni iu rikthye tendencës së lehtë rritëse, pas gjashtë muajsh kur kishte shfaqur vetëm tendenca ngadalësimi.

Në maj, sipas INSTAT ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit ishte 4,7%, nga 4.6% muajin e mëparshëm, ndërsa në tetor ishte arritur niveli më i lartë që nga 1998-a prej 8.3%.

Tendenca rritëse e inflacionit duket më shumë e ndikuar nga faktorë të brendshëm, teksa në eurozonë çmimet po ulen me ritme më të shpejta se në Shqipëri, si rrjedhojë e lehtësimit të kostove të energjisë. Rritja e çmimeve ul aftësinë paguese të individëve që u mbeten më pak para në dispozicion për të paguar këstet e huave. /Monitor

Kreditë me probleme rriten për të dytin muaj radhazi,

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Koha për të rregulluar sistemin - përsëri!

“The Economist”: Çfarë nuk shkon me bankat?