Inter dhe Al Nassr barazuan 1-1 në një test miqësor të zhvilluar në Osaka të Japonisë. Për turneun veror, finalistët e Champions League të sezonit të shkuar, nuk shkuan më shumë se barazimi kundër skuadrës së Cristiano Ronaldos, i cili luajti një pjesë loje, së bashku me Brozovic, ish-in e Interit.
Përballja nisi me ritëm, teksa u zhbllokua pas 23 minutash lojë nga skuadra arabe. Një aksion model me kombinime dhe asisti i Talisca, bëri që Ghareeb të shënonte fluturimthi. Në fundin e pjesës së parë, konkretisht në të 44 minutë ishte Frattesi që pas pasimit të Dumfries, dërgoi topin në rrjetë me kokë.
Me fillimin e pjesës së dytë, trajneri Inzaghi hodhi në fushë edhe Kristjan Asllanin te Interi, me shqiptarin që në një rast provoi nga jashtë zone dhe iu afrua golit. Në fund 1-1, me skuadrat që janë në përgatitjet të sezoneve respektive.