Sulltani i Bruneit, monarku absolut më i egër në planet, në fron prej më shumë se gjysmë shekulli, detyron çdokënd që studion me shpenzimet e shtetit të mos largohet nga vendi për një periudhë të gjatë kohe pas përfundimit të studimeve universitare.
Nuk duhet të bëjmë të njëjtën gjë në republikën tonë demokratike me studentët e mjeksisë! Dhe me askënd tjetër.
Nuk duhet të përpiqemi t’i justifikojmë mungesën e politikave vizionare në arsimin e lartë e në shëndetësi dhe paaftësinë për të zgjidhur problemet e mëdha sistemike në këto fusha me një ligj anti-ligj, që bie ndesh jo vetëm me Ligjin për Arsimin e Lartë, në fuqi nga viti 2015, por edhe me liritë dhe të drejtat universale të njeriut, që garantohen me kushtetutë.
Mos gaboni, ju që e keni në dorë ta miratoni, ose ta rrëzoni një projekt-ligj si ai që do i detyronte mjekët tanë të rinj të ngujohen në vend.
Votoni që të investohet shumë më tepër për arsimimin profesional modern të tyre, siç votuat për të dyfishuar pagat tuaja dhe të ministrave, duke u krijuar studentëve mundësi e kushte shumë më të mira se sa këto që kanë, kushte më të mira pune për të ushtruar profesionin e mjekut pasi diplomohen e specializohen dhe paga donjitoze.
Që të mos largohen, siç keni frikë ju dhe siç nuk do të dëshironin shumë nga ne. Më mënyrë që të na shërbejnë neve, qytetarëve të këtij vendi, jo atyre gjermanë, grekë e italianë, sepse janë fëmijët tanë, djemtë dhe vajzat tona.
Mos i zemëroni studentët e mjekësisë, mos luani me të drejtat, me dinjitetin dhe me durimin e tyre. Merrini seriozisht ata. Studentët janë e vetmja shtresë e shoqërisë që mund ta trondisin në themel establishmentin politik, nëse ligjin që mund të miratoni ju, përfaqësuesit e zgjedhur në kuvendin e popullit, e ndiejnë, ose e perceptojnë si nje padrejtësi e madhe që u bëhet.
Dëgjojini me vëmendje! Merrini seriozisht nevojat dhe kërkesat e tyre! Mos nxitoni me urdhëra administrativë dhe me procedura parlamentare t’u mbyllni gojën dhe perspektivën mjekëve tanë të ardhshëm. Një vendim i gabuar sot mund të ketë një efekt bumerang.