Një person është vënë në prangat e policisë së Krujës dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi akuzohet për kultivim të lëndëve narkotike.
Në fazën e 24-t e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër” është bërë I mundur asgjësimi i 304 bimë narkotike kanabis, që u gjetën të kultivuara në lagjen Micjon, Borizanë.
Më parë, në kuadër të këtij operacioni, janë gjetur dhe asgjësuar 12 663 bimë narkotike kanabis. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë vijuar intensivisht kontrollet në fshatra të ndryshme të rrethit, me qëllim parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të tentativave për të kultivuar bimë narkotike.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në kuadër të fazës së 24-t të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, në lagjen Micjon, në fshatin Borizanë, u gjetën të kultivuara 304 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Ndërkohë mësohet se në kuadër të këtij operacioni ëstë vënë në pranga një 60 vjeçar dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, një 49 vjeçar, të dy banues në Borizanë.
Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”, vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.