MENU
klinika

Pas largimit nga politika

Ky është deputeti që pritet të zërë vendin e Rrahman Rrajës

08.07.2023 - 18:18

Deputeti i Partisë Socialiste Rrahman Rraja dha sot dorëheqjen duke njoftuar se largohet përgjithmonë nga politika, dy ditë pas dhunës barbare që djali i tij, Rexhepi dhe të afërm të tjerë ushtruan ndaj vëllezërve të fisit Maja.

Por kush është deputeti që pritet të zërë vendin e Rrajës në Kuvend?

Ai është Arkend Balla, i cili në zgjedhjet e fundit parlamentare garoi nën logon e Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit. Balla renditej i 12-ti në listë dhe arriti të marrë një total prej 2463 votash.

Rrahman Rraja njoftoi sot lënien e mandatit të deputetit, duke i bërë thirrje djalit të tij të dorëzohet në polici. Në kërkim është shpallur edhe vëllai i deputetit, Xhelal Rraja, i cili është pronari i gurores që u bë shkak për sherrin brutal.

Vëllezërit Maja ishin ankuar për shpërthimet në gurore, duke kërkuar që të ndaloheshin pasi po dëmtonin shtëpitë pranë zonës, por fisi Rraja u kundërpërgjigj duke i dhunuar brutalisht me shkopa bejsbolli.

Po ditën e sotme, pas takimit që ministri i Brendshëm Bledi Çuçi pati me kreun e Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, u vendos ristrukturimi i plotë i Komisariatit të Krujës.