MENU
klinika

Këtë vit 10€/ditë më shtrenjtë

Sezoni turistik/ Lulëzon tregu i makinave me qira

14.07.2023 - 14:41

Sezoni veror ndodhet në vitin e tij më të mirë teksa Shqipërinë deri më tani e kanë vizituar rreth 3 milionë turistë. Por në këtë lulëzim një vëmendje të madhe po merr dhe tregu i makinave me qira, të cilin si vendasit po dhe të huajt e përzgjedhin për të vizituar destinacione të ndryshme.

Ky treg në Shqipëri po kthehet ndër ata me potencialin më të madh të rritjes, teksa prenotimet nuk kanë munguar që në muajt e parë të vitit. Edhe në këtë sektor inflacioni ka ndikuar teksa çmimet regjistrohen deri në 10 euro më të larta se vitin e shkuar për makinat e kategorisë ekonomike. Por në vend të kostove, ndikim këtu ka kërkesa e lartë.

“Kërkesat për këtë vit krahasuar me vitin e kaluar janë 3 herë më të larta. Janë statistika që i gjenerojë nga sistemet tona. Sigurisht që çmimi ndryshon në varësi të prenotimit dhe kohës së prenotimit ku ata që kanë prenotuar më herët kanë përfituar nga çmimet më të lira. Çmimi mesatar është 40-45 euro që përfshin TVSH, asistencën teknike”, thotw agjenti i tregut tw makinave Andi Allushi.

Shtimi i linjave direkte ajrore me Shqipërinë ka sjellë një numër të lartë turistësh të huaj në vend. Ata përzgjedhin makinat me qira si mjet transporti për të vizituar më pas destinacione të ndryshme në vendin tonë.

“Janë shtuar fluturime nga shtete si Bari, Egjipti, Ugarda, Izraeli etj. Pjesa bregdetare është pjesa më e vizituar që përfshin nga Vlora deri në Ksamil por ka dhe nga ata që preferojnë veriun e Shqipërisë, por nuk mbeten pas qytetet historike”.

Sipas agjentëve të tregut të automjeteve me qira, të interesuar për këtë treg janë edhe vetë shqiptarët, veçanërisht emigrantët që rikthehen gjatë verës, por janë kryesisht të orientuar sipas çmimit më të lirë.

“Shqiptarët marrin makina me qira por preferojnë çmimin më të lirë dhe jo shërbimin më të mirë”.

Klientela kryesore e këtij tregu në Shqipëri janë më së shumti turistët nga Spanja krahasuar me shtetet e tjera europiane, por risi për këtë vit janë dhe kërkesat e turistëve nga Australia, Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe e deri tek India. Me shtimin e linjave ajrore në fund të këtij viti, kjo kategori biznesi e lidhur ngushtë me turizmin, pret një tjetër bum të kërkesës.