Gianluigi Buffon dhe Andrea Barzagli do jenë pjesë e stafit të kombëtares italiane të futbollit. Trajneri Roberto Mancini dhe drejtuesit e federatës tej Adriatikut kanë zgjedhur dy emra që kanë bërë më së miri në fushë dhe tanimë kërkohet kontributi i tyre edhe në rolin e trajnerit.
Dikur pjesë e Juventusit në fazën mbrojtëse, Buffon dhe Barzagli do bëhen bashkë në stolin e Italisë për të punuar në Coverciano. Barzagli u largua në 2019 nga futbolli dhe prej asaj kohe është pajisur me licencën A të trajnerit, për të qenë pjesë e stafit të Sarrit te Juventusi, deri në kohën kur u largua për të qenë më pranë familjes. Ish-mbrojtësi ka pranuar ftesën nga Mancini dhe do jetë pjesë e stafit.
Veç tij, Buffon është telefonuar për të zënë një vend në stol edhe pse portieri 45-vjeçar vijon të jetë në aktivitet me Parmën në Serie B. Më rast se ai vendos të lërë futbollin, puna e re si trajner duket gati. Buffon edhe mund t’i bëjë njëkohësisht të dyja rolet. Sipas medieve nga Italia, edhe Bonuçi u vlerësua për këtë rol, me mbrojtësin që kërkon të luajë edhe një sezon. Kreu i Federatës Italiane të Futbollit kishte në mendje edhe emrin e Paolo Maldinit pas largimit nga Milan, por kalimi i trajnerit U-19 të Italisë, Bollini në staf, zbehu emrin e ish-mbrojtësit.