MENU
klinika

Konfirmohet nga Kievi

Mercenarët e Wagner janë tashmë në Bjellorusi

16.07.2023 - 10:29

Shërbimi i rojes kufitare të Ukrainës ka konfirmuar se mercenarët e grupit Wagner kanë mbërritur në Bjellorusi, duke bërë kalimin nga Rusia fqinje.

DPSU thotë se po vlerëson se sa ushtarë ndodhen tashmë në Bjellorusi, si dhe po punohet për gjetjen e vendndodhjes së tyre të saktë.

Një raportim i pakonfirmuar bëri me dije se një kolonë prej rreth 60 automjetesh të Wagner kaloi kufirin me Bjellorusinë herët të shtunën.
Ndërkohë, imazhe që supozohet se tregojnë luftëtarët e Wagner duke trajnuar ushtarë bjellorusë në një bazë në juglindje të Minskut janë shfaqur po ashtu në rrjet.

Kanali “Belaruski Hajun” në Telegram raportoi se automjetet, ku përfshiheshin kamionçina, kamionë dhe autobusë po shoqëroheshin nga policia rrugore bjelloruse ndërsa po shkonin për në qytetin e Osipovich, rreth 85 km larg Minskut.
Autoritetet bjelloruse, të cilat e konsiderojnë “Belaruski Hajun” si një kanal ekstremist, nuk e kanë komentuar këtë çështje.

Sakaq, të premten, ministria e mbrojtjes e Bjellorusisë tha se trupat e Wagner tani po veprojnë si instruktorë ushtarakë për forcat e mbrojtjes territoriale të vendit duke i stërvitur ato në një numër disiplinash ushtarake pranë Osipovich.
Lëvizja e forcave të Wagner vjen pas takimit të shumëpërfolur me Vladimir Putin, 5 ditë pas rebelimit të Yevgeny Prigozhin në qershor.

Një marrëveshje i dha fund rebelimit 24-orësh dhe sipas marrëveshjes, luftëtarëve të Wagner-it kanë të drejtë ti bashkohen ose ushtrisë së rregullt ruse ose të shkojnë në Bjellorusi.
Udhëheqësit të Wagner, Yevgeny Prigozhin, iu ofrua gjithashtu një transferim në Bjellorusi, por vendndodhja e tij aktuale mbetet e paqartë.

Në fillim të kësaj jave, Presidenti Putin zbuloi se Prigozhin kishte refuzuar një ofertë që luftëtarët e tij t’i bashkoheshin ushtrisë ruse si njësi e rregullt. Sipas Putin, përgjigja e Prigozhin ishte “djemtë e Wagner nuk pajtohen me këtë vendim“.

Ai i tha gazetës ruse Kommersant se shumë komandantë grupesh kishin mbështetur planin, që do të udhëhiqej nga një figurë e lartë e Wagnerit, gjatë bisedimeve në Moskë më 29 qershor.

Putin tha gjithashtu se sipas ligjit rus, Wagner “nuk ekziston”, sepse grupet mercenare nuk njihen zyrtarisht.