MENU
klinika

Operacioni antikanabis

Ministri Balla: U shkulën nga policia e Lezhës dy oficerë policie të cilët ishin në ortakëri me trafikantët

29.07.2023 - 16:36

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas operacionit në Lezhë, ku u arrestua një ish-efektiv policie dhe një kultivues droge, si dhe u shpallën në kërkim një tjetër ish-polic dhe një 30-vjeçar.

Balla deklaron se Policia e Shtetit po godet për shkuljen deri në fund të kultivimit të paligjshëm nga mendjet e atyre që gënjejnë veten se meqë sot ka më pak kanabis se dje, ne do të flemë mbi dafina.

Ai thekson se “vetëm sa ka nisur sot” dhe se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.

POSTIMI I PLOTË

Kur në adresimin e parë për Policinë e Shtetit thashë se një rrënjë e vetme kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur, kisha parasysh këtë që vetëm sa ka nisur sot.

Policia e Shtetit po godet për shkuljen deri në fund të kultivimit të paligjshëm nga mendjet e atyre që gënjejnë veten se meqë sot ka më pak kanabis se dje, ne do të flemë mbi dafina! Sot bashkë me rrënjët e paligjshme janë shkulur edhe dy oficerë policie në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, të cilët ishin në ortakëri me trafikantët.

Ata tani janë në duart e drejtësisë. Përgëzoj Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për dokumentimin e plotë të provave në kuadër të këtij procedimi penal dhe përfundimit të hetimeve në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Lezhë, ku bashkë me punonjësit e policisë është goditur edhe një grup kriminal.

Shpreh besimin se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit Përgëzime dhe vetëm përpara!