Menjëherë pas marrjes së postit si Ministër i brendshëm, Balla nisi ndyshimet brenda stukturave të policisë.
Emisioni FactCheck ka zbardhur Kodin e Etikës vendosur në hyrje të komisariateve. Bazuar në listën më 7 rregulla, policëve u ndalohet të pranojnë dhurata për shkak të detyrës. Ndër të tjerash, theksohet se të gjitha dhuratat që merren në aktivitetet zyrtare duhet të deklarohen.
Neni 106
Ligjshmëria
1. Policia duhet të zbatojë dhe të verifikojë ligjshmërinë e gjithë veprimeve të planifikuara të saj. Në respekt të mbrojtjes së jetës, pronës, lirive dhe të drejtave të individit, punonjësi i policisë zbaton ligjin në çdo rast të ndërhyrjeve dhe veprimeve të tij.
Prezumimi i pafajësisë udhëheq veprimtarinë e punonjësit të policisë edhe ndaj personave objekt hetimi, me qëllim që ata të ushtrojnë të drejtat e tyre të plota, sipas kushteve të përcaktuara në ligj. Sipas këtij parimi, ligji është mbi të gjithë dhe mbi gjithçka.
Neni 107
Përgjegjshmëria
Në themel të punës dhe veprimtarisë së tij, punonjësi i policisë mbështetet mbi parimin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies ndaj publikut. Punonjësi i policisë mban përgjegjësi për veprimet apo mosveprimet e tij, të cilat shkojnë ndesh me zbatimin e ligjit.
Neni 108
Mbrojtja e interesave publike dhe të individit
1. Punonjësi i policisë, në ushtrimin e funksioneve mbron në çdo rast interesin publik, si dhe të drejtat dhe interesat kushtetuese dhe ligjore të individit.
Punonjësi i policisë nuk kryen, nxit apo toleron asnjë akt torture, trajtim çnjerëzor ose poshtërues në çfarëdolloj rrethane.
Neni 109
Barazia dhe mosdiskriminimi
Punonjësi i policisë përmbush detyrat në përputhje me të drejtat themelore të individit. Ai udhëhiqet nga parimi i barazisë, lirisë së mendimit, të shprehjes, të besimit, të grumbullimit paqësor, lëvizjes së lirë dhe të drejtës mbi pronën.
Punonjësi i policisë nuk privilegjon apo diskriminon asnjë për shkak të përkatësisë etnike, racore, gjinore, gjuhësore, politike apo çdo bindjeje tjetër, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual apo rrethane tjetër personale.
Neni 110
Proporcionaliteti i përdorimit të forcës
Punonjësi i Policisë përdor forcën vetëm kur është në mënyrë të arsyeshme e nevojshme dhe vetëm në masën që kërkohet për të arritur një synim të ligjshëm.
Punonjësi i Policisë, në çdo rast e përdor forcën pa cenuar thelbin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe përdor gjithmonë mjete të përshtatshme në proporcion me rrezikun dhe qëllimet që synohen të arrihen.
Punonjësi i policisë është përgjegjës individualisht për ushtrimin e forces dhe jep llogari para ligjit.
Neni 111
Paanshmëria
Punonjësi i policisë trajton të gjithë subjektet në mënyrë të ndershme, të drejtë e të paanshme, si dhe shmang konfliktin e interesit që do të cenonte drejtësinë dhe paanësinë.
Punonjësi i policisë nuk pengon drejtësinë, ai nuk fsheh apo përdor informacione, me qëllim përkrahjen apo dëmtimin e një personi.
Punonjësi i policisë zbaton detyrat me profesionalizëm dhe korrektësi, jashtë çdo ndikimi politik, përkatësie fetare, racore, gjinie apo përkatësie etnike.
Punonjësi i policisë nuk merr vendime të njëanshme dhe të ndikuara politikisht në lidhje me emërimet, ecurinë në karrierë, si dhe në zgjidhjen e problemeve gjatë ushtrimit të funksioneve.
Neni 112
Integriteti
1. Punonjësi i policisë vepron në çdo kohë me ndershmëri dhe integritet të plotë. Ai deklaron çdo interes privat në lidhje me detyrën.
Punonjësi i policisë, në përmbushje të detyrës, merr vendime vetëm për interesin publik dhe jo për përfitime financiare apo materiale personale apo të personave të lidhur me të.
Punonjësi i policisë ka detyrimin të raportojë shkeljet e kryera nga kolegët gjatë dhe për shkak të detyrës tek eprori i drejtpërdrejtë ose tek strukturat kompetente.
Punonjësi i policisë nuk duhet të ketë detyrime financiare apo detyrime të tjera ndaj personave apo organizatave që mund të ndikojnë në përmbushjen e detyrave të tij funksionale.
Punonjësi i policisë nuk pranon dhurata për shkak të detyrës. Ai deklaron të gjitha dhuratat që merr në aktivitetet zyrtare për shkak të reciprocitetit.