MENU
klinika

Lloji i parë

Moduli kryesor i reaktorit të parë komercial të vogël modular në botë merr pranimin

14.07.2023 - 20:59

Moduli kryesor i reaktorit të parë komercial të vogël modular (SMR) në botë mori pranimin përfundimtar në Kinë të enjten, duke shënuar një përparim në inovacionin teknologjik SMR dhe lokalizimin e pajisjeve të mëdha teknike për energjinë bërthamore, shkruan CMG.

Reaktori i vogël modular i ujit me presion dhe me shumë funksione, i njohur si “Linglong 1” (ACP100), ka epërsi të jashtëzakonshme, duke përfshirë ciklin e shkurtër të prodhimit, sigurinë e lartë, përdorimin e gjerë, vendosjen elastike, maturinë e lartë të pajisjeve dhe zbatimin e mirë inxhinierik.

Me një kapacitet prodhimi të energjisë prej 125 megavatësh, “Linglong 1” mund të prodhojë 1 miliard kilovatorë energji elektrike, çka mund të përmbushë nevojat e 526 000 familjeve dhe është e barasvlershme me pakësimin e lëshimeve të dioksidit të karbonit me 880 000 tonë apo mbjelljen e 7.5 milionë pemëve, tha prodhuesja e këtij reaktori, Korporata Kombëtare Bërthamore e Kinës (CNNC).

Kjo vepër mund të përmbushë kërkesat e ndryshme për energji në skenarë të shumtë, si shkripëzimi i ujit të detit, ngrohja urbane, furnizimi industrial me avull dhe nxjerrja e naftës.

Promovimi i SMR mund të optimizojë strukturën energjitike të Kinës, të zvogëlojë konsumin e energjisë fosile dhe të nxisë ndjeshëm ruajtjen e energjisë dhe uljen e lëshimit, duke ndihmuar në arritjen e objektivave të vendit për kulmin e karbonit deri më 2030 dhe asnjanësimin e karbonit deri më 2060, theksoi CNNC-ja.

Si lloji i parë i tillë i reaktorit bërthamor në botë i miratuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, “Linglong 1” është një tjetër arritje e madhe e inovacionit të pavarur pas “Hualong 1”, një reaktor bërthamor i brezit të tretë i projektuar nga Kina.

Reaktorët e vegjël modularë, duke përfshirë mikroreaktorët, pritet të luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në sigurimin e energjisë, si dhe tranzicionin global të energjisë në lëshim zero karboni, sipas IAEA-së.