Çka pritej ndodhi. Rreth 1 javë pas përfundimit të sezonit të korrje-shirjes së grurit fermerët e fshatrave të Lushnjës po përballen me mungesë të tregut për shitjen e grurit.
Gruri ka mbetur i hapur në fushë, i pashitur. Fermerët pohojnë se shkak i mungesës së shitjeve është çmimi i ulët rreth 50% më pak se vitin e kaluar.
Për shkak të rritjes së lartë të çmimit të drithërave vitin e kaluar në tregjet e huaja të ndikuara nga lufta Rusi-Ukrainë, Ministria e Bujqësisë nxiti fermerët me subvencione direkte në vlerën e 30 mijë lekëve për ha për shtimin e sipërfaqeve të mbjella. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në total u mbështetën me subvencione 4 mijë fermerë.
Agronomët pohuan më herët se për shkak të nxitjes me subvencione të mbjellat u rritën 30 deri 40%. Por sot çmimi i grurit është nën kosto dhe po ju shkakton shumë humbje fermerëve.
Met Salliu nga fshati Plug i Lushnjës tha për “Monitor” se sapo ka përfunduar procesi i korrjes dhe shirjes së grurit dhe nga 100 ha me të mbjella ka përfituar 500 ton grurë. Salliu ngre shqetësimin se çmimi i shitjes është gati 50% nën kosto dhe të gjithë prodhimin e ka të hapur në arë të pashitur.
“Të gjithë grurin e kam në fushë të pashitur. Nuk ka treg ku ta shesim për shkak të çmimit të ulët. Çmimi i grurit sot është 26 deri 27 lekë për kg, gati 50% më pak se vjet. Me këtë çmim shitje humbjet janë shumë të larta krahasuar me koston e të mbjellave, duke nisur nga çmimi i karburantit, plehrave kimike etj.
Unë kam prodhuar grurë për të mbajtur 1 qytet të tërë me bukë, po nuk kam ku e shes. Kompanitë e blojës janë duke shqyrtuar çmimet, por ende deri tani nuk kanë kryer ndonjë blerje”, pohon fermeri që jetën e tij e ka të lidhur me kultivimin e grurit dhe shalqirit.
Vjet çmimi i shitjes së grurit arriti 50 deri 55 lekë për kg, ndërsa sivjet po shitet nga 25 deri 27 lekë për kg.
Para sezonit të korrjes ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në një takim të zhvilluar me kompanitë e blojës u kërkoi atyre që të blejnë grurin vendas, si zgjedhjen primare të lëndës së parë për fabrikat e tyre të blojës së miellit dhe prodhimit të bukës.
“Kemi rënë dakord së bashku që prioritet në këtë sezon të korrjeve të grurit patjetër që do t’i japim mbështetje prodhimit vendas dhe fermerëve tanë, të cilët na kanë dëgjuar dhe janë orientuar drejt prodhimit të grurit gjatë sezonit të kaluar”, pohoi më herët Krifca.
Anëtarë të Shoqatës së Përpunimit të Miellit të kontaktuar nga Monitor pohuan se deri tani sasia e blerë nga prodhuesit vendas është shumë e pakët dhe kjo pasi nuk arrihet të garantohet cilësia e duhur për grurë që më pas të përpunohet për miell buke apo të përdorimit të produkteve të tjera.
Për fabrikat e blojës mungesa e cilësisë është ndikuar nga kushtet klimaterike dhe shirat e shumta që pati këtë vit para sezonit të korrjes. Për sa i përket çmimit të ulët të shitjes përpunuesit e grurit veçojnë se ai përcaktohet nga trendi i çmimeve ndërkombëtare.
Nevion Telha, agronom në zonën e Korçës, nënvizoi për “Monitor” se pavarësisht se të mbjellat në fshatin Pojan u shtuan 30 deri në 40% nga mbështetja me subvencione, rendimenti i prodhimit edhe këtë vit vijoi të jetë i ulët.
“Për shkak të motit të lagësht në periudhën e pjekjes së grurit, kryesisht 2 stuhive të mëdha që pati zonën tonë edhe këtë vit rendimenti i prodhimit vijon të mbetet i ulët 30 deri 35 kv për ha. Prej vitesh për shkak të kostove të larta nga çmimet e inputeve bujqësore dhe mungesës së ekonomisë së shkallës, rendimenti prodhues vijon të mbetet i ulët në këtë zonë, mesatarisht rreth 35 kv për dynym.
Rendimentin më të lartë të prodhimit të grurit, Shqipëria e ka arritur vetëm në periudhën komuniste, në nivelin 75 kv për dynym. Pavarësisht se fermerët e kanë mekanizuar prodhimin, duke përdorur mjetet bujqësore, por edhe kanë shtuar plehërimin e tokës, nuk mund të arrihet rendiment më i lartë se ky nivel për shkak të parcelizimit të tokës”, shton agronomi Nevion Telha.
Në zonën e Pojanit sezoni i korrjeve dhe shirjeve ende nuk ka përfunduar, por agronomi Telha thotë se me çmimin 25 lekë për kg që po kërkohet gruri shitjet do të jenë nën kosto. “Fermerët do ta shesin grurin, por do ta shesin nën kosto”.
Sipas të dhënave të Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, prodhimi i grurit të fermerëve mesatarisht në vit arrin 60,000 deri në 70,000 tonë grurë, kurse sasia e importuar arrin 250,000 deri në 300,000 ton grurë në vit./D.Azo/ Monitor.al