Shkrimtari Martin Walser vdiq më 28 korrik në moshën 96-vjeçare në Ibrelingen, ku kaloi gjithë jetën. Walser la pas një vepër të gjerë, por edhe të diskutueshme. Deri në pleqëri, ai shkroi dhe botoi romane, tregime dhe përmbledhje tregimesh, drama, radiodrama dhe përkthime, si dhe ese e leksione.
Në moshën 95-vjeçare botoi “Traumbuch” (Libri i ëndrrave), e një vit më parë edhe përmbledhjen me poezi “Sprachlaub”.
Analist i shoqërisë perëndimore
Ai shpesh quhej “autori i shekullit” dhe një analist i palëkundur i shoqërisë gjermane perëndimore. Si asnjë shkrimtar tjetër bashkëkohor gjerman, Walser tematizoi jetën e përditshme të klasës së mesme.Heronjtë e tij janë zyrtarë, mësues, njerëz të thjeshtë, konfliktet mes bashkëshortëve, shefave, miqve apo të dashuruarve me aspiratat e tyre, duke i bërë shpesh këto personazhe edhe tragjikë të kohës së tyre. Me ironi dhe simpati, Walser portretizoi heronjtë e tij që jetojnë me një ndjenjë inferioriteti dhe e shohin veten si humbës. Në të gjitha veprat ai mbështetet në përvojat e veta. Romanet pa pjesë biografike nuk janë romane, por vepra sociologjike, deklaroi dikur.
Shumica e rreth njëzet romaneve të tij janë bestsellerë, mbi të gjitha romani “Ein fliehendes Pferd” (Kali në vrap) i vitit 1978.https://zeri.info/inarticle.html
Poezitë e para, publicistika…
Lindi në Wasserburg afër liqenit të Konstancës më 24 mars 1927, djali i një hanxhiu dhe një tregtari qymyrguri. Ai humbi babanë e tij në moshë të re, ndërsa vëllai i tij i madh u vra në Luftën e Dytë Botërore. Ai vetë ishte një ushtar i Wehrmachtit për një kohë të shkurtër.
Walser filloi të shkruante poezi në moshën dymbëdhjetë vjeç. Pas studimeve për letërsi dhe filozofi në Regensburg dhe Tübingen, ai punoi për disa vite si reporter, redaktor dhe autor i dramave radiofonike në Süddeutsche Rundfunk. Në vitin 1950, ai u martua me Katarina Neuner-Jele. Nga kjo martesë kanë vajzat Françeska, Johana, Alisa dhe Teresia – të gjitha merren me letërsi apo aktrim. Ai kishte një djalë, Jakob Augstein, gazetar dhe botues, me Maria Karlsson, më pas partnere dhe më vonë gruaja e themeluesit të Spiegel, Rudolf Augstein, për të cilën publiku mësoi në vitin 2009.
Walser u bë shpejt një nga shkrimtarët më të rëndësishëm dhe më të diskutueshëm në letërsinë gjermane të pasluftës. Për tregimin “Templones Ende” (Fundi i Templonit) të botuar në përmbledhjen me tregime “Ein Flugzeug über dem Haus” (Aeroplani mbi shtëpi) të vitit 1955, ai mori çmimin e grupit legjendar 47.
Dy vjet më vonë, ai botoi romanin e tij të parë “Ehen in Philipsburg” (Martesat në Philipsburg) në 1957, për të cilin mori çmimin Herman Hesse. Në vitin 1981, Walser mori çmimin letrar “Georg Büchner”.
Libri i tij “Ein liebender Mann” (Një burrë i dashuruar) është përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
Deklarata e Aushvicit
Si shumë nga kolegët e tij, Walser ishte politikisht aktiv në vitet 1960, duke kundërshtuar luftën në Vietnam dhe duke favorizuar socialdemokratin Willy Brandt si kancelar.Walser konsiderohej si i majtë. Dhe kjo është arsyeja pse ai shkaktoi zemërim të madh më 11 tetor 1998, kur në fjalimin e tij pas prezantimit të çmimit prestigjioz të paqes të shitësve të librave, u deklarua kundër “instrumentalizimit të Holokaustit”. “Aushvici nuk është i përshtatshëm për t’u bërë një kërcënim rutinë, i cili mund të përdoret në çdo kohë si një mjet frikësimi ose një kupë morale,” tha Walser në atë kohë.
Presidenti i atëhershëm i Këshillit të Hebrenjve gjermanë, Ignatz Bubis, ishte i pranishëm dhe më vonë kritikoi ashpër Walser. Pasuan disa vite diskutime publike. Walser tha se i vinte keq që fjalimi i tij kishte ofenduar Bubis dhe shpjegoi në një intervistë të vitit 2015 me Spiegel se ai nuk i referohej instrumentalizimit të Aushvicit në marrëdhëniet gjermano-hebreje, por atij në politikën ditore gjermane, siç praktikohej për shembull nga Günter Gras, në refuzimin e tij të ribashkimit të Gjermanisë apo Joshka Fischer në mbështetjen e pjesëmarrjes së Gjermanisë në bombardimet e Jugosllavisë.