MENU
klinika

Analiza

Ndryshimet e NATO-s, i “atribuohen” Ukrainës

16.07.2023 - 20:14

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe homologët e tij të NATO-s miratuan të martën ndryshimin më të madh që nga Lufta e Ftohtë në mënyrën se si aleanca ushtarake do t’i përgjigjej çdo sulmi në territorin e saj nga Rusia.

Të frymëzuar pjesërisht nga pushtimi i Ukrainës nga Moska, planet e mbrojtjes parashikojnë se cilit nga 31 vendet anëtare do t’i kërkohet t’i përgjigjet një sulmi kudo nga rajonet e Arktikut dhe Detit Baltik përmes Atlantikut verior dhe jugut deri në Mesdhe dhe Detin e Zi.

“Paqja në zonën euro-atlantike është shkatërruar,” thanë liderët në një deklaratë, duke folur për kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe terrorizmi.

“Së bashku, kjo familje planesh do të përmirësojë ndjeshëm aftësinë dhe gatishmërinë tonë për të penguar dhe mbrojtur kundër çdo kërcënimi dhe për të siguruar përforcimin në kohë të të gjithë aleatëve.”

Sipas planeve të reja, komandantët e NATO-s do të dinë më qartë se çfarë trupash dhe pajisjesh do të kenë në dispozicion dhe sa kohë do të duhej për t’i venë në gatishmëri ato, thanë zyrtarët.

Projekti i mbrojtjes u rinovua pasi lufta e Rusisë kundër Ukrainës sfidoi llogaritjen tradicionale të sigurisë të NATO-s. NATO, si organizatë, nuk i ofron armë apo municione Ukrainës, porn ë të njëjtën kohë, ajo po forcon masivisht sigurinë e vendeve anëtare pranë Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë.

Rreth 40,000 trupa janë në gatishmëri nga Estonia përgjatë krahut lindor të NATO-s me Rusinë dhe deri në Rumani në Detin e Zi. Rreth 100 avionë ngrihen në qiell në atë territor çdo ditë dhe gjithsej 27 anije luftarake janë duke operuar në Detin Baltik dhe Mesdhe. Këto shifra do të rriten.

Sipas planeve të saj të reja, NATO synon të ketë deri në 300,000 trupa gati për të lëvizur në krahun e saj lindor brenda 30 ditëve. Planet e ndajnë territorin e saj në tre zona, në veri dhe zonën e Atlantikut, një zonë në veri të Alpeve dhe një tjetër në Europën Jugore.

Planifikimi bazohej në fuqinë e ushtrisë ruse përpara se Presidenti Vladimir Putin të niste luftën kundër Ukrainës pothuajse 17 muaj më parë. Lufta ka varfëruar ushtrinë ruse, por jo forcat e saj detare apo ajrore, thanë drejtuesit e lartë të NATO-s.

31 vendet anëtare të NATO-s morën pjesë në një konferencë në fund të qershorit në një përpjekje për të kuptuar se sa trupa dhe sa pajisje mund të ketë aleanca në dispozicion për t’iu përgjigjur çdo sulmi rus, si në afat të shkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë.

Oficerët e lartë ishin optimistë rreth rezultateve, megjithëse nuk pranuan të japin detaje për arsye sigurie.

Ekspertët dhe disa diplomatë të NATO-s, megjithatë, kanë shprehur dyshime për gatishmërinë e vendeve anëtare për të vënë në gatishmëri një total prej 300,000 trupash.

Por ekziston nevoja që të 31 aleatët të miratojnë nisjen e planeve të reja në rast sulmi, dhe në pika të caktuara pasi ato të vihen në veprim. Vendime të tilla politike, të cilat kërkojnë konsensus, mund të kërkojnë kohë.

“Vendimmarrësit politikë ende ruajnë kontrollin politik,” u tha gazetarëve një zyrtar i lartë amerikan në ditët përpara samitit.