MENU
klinika

Mero Baze

Nevoja për “rend” në Ministrinë e Rendit

09.07.2023 - 21:06

Bledi Çuçi ishte ndoshta ministri i parë i Brendshëm i Shqipërisë që kishte një distancë profesionale me policinë. Nuk u përfshi kurrë në spiralen e të qenit kryepolicë, si jo rrallëherë kanë rënë ministrat tanë të Brendshëm, dhe nuk pati asnjë protagonizëm si vendosës rendi në Shqipëri. Eshtë një detyrë që ja delegoi policisë.

Nga ana tjetër ai është dhe Ministri i parë i Brendshëm që nuk u përfshi as në emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe pjesës tjetër të piramidës së saj, përveç një stafi të vogël politik.

Nga pikëpamja shtetërore ky ka qenë një hap përpara, pasi për herë të parë kishim një Ministër të Brendshëm që nuk donte të dukej si kryepolicë.

Madje për herë të parë kemi pas një kupolë policie, që më shumë e adhuronte Berisha se sa Ministri i Brendshëm. Nëse e vini re në gjithë ngjarjet kriminale, që ndodhin rëndom në Shqipëri, Sali Berisha nuk ka asnjë rezervë për kupolën e policisë, “përveç kriminelit Ardi Veliu” që i bën të gjitha të zezat në emër të policisë. Madje dhe rrahjen e Berishës me grusht më 6 Dhjetor.

Shkarkimi i Bledi Çuçit në këto kushte është një reagim politik, pasi ngjarja e rënd donte doemos një përgjigje politike. Dhe ai është krye viktima e kësaj ngjarje edhe pse jo fajtor për të.

Bledi Çuçi nuk iku as si ministër i korruptuar, as si i paaftë. Iku se dështoi policia me të cilën ai nuk u mor kurrë. Madje kam frikë se nuk ka emëruar asnjë shef policie.

Por duket se modeli i një ministri modern të brendshëm dështoi. Modeli i një ministri që shikon punët e veta duke lënë policinë të shikojë “punët e veta”, dështoi. Pasi policia jonë me sa duket shikon vetëm punët e veta po e le të lirë, dhe jo rendin.

Taulant Balla është një nga peshat më të rënda politike të Partisë Socialiste, në mos i rëndësishmi pas Edi Ramës. Emërimi i tij si Ministër i Brendshëm, është një marrje përgjegjësie politike për rendin në Shqipëri.

Natyrisht kjo do ta egërsoj shumë Sali Berishën. Do ti dëgjoni të gjitha shpifjet me radhë dhe baltën pa fund ndaj tij. Por ato nuk e rrezikojnë misionin e tij. Ato thjesht tregojnë se çfarë ka frikë Berisha se mund të bëj ai.

Misionin e tij e rrezikon vetëm dështimi i rendit. Fakti që një peshë politike kaq e rënd e PS merr përsipër rendin, tashmë përgjegjësia është shumë politike dhe ai duhet të ketë duart e lira të sillet si Ministër politik, edhe me stukturat e policisë, të cilat çdo mbrëmje më shumë raportojnë tek Gon Kuliçi se tek ministri i tyre.

Duke vendosur Taulant Ballën Ministër të Brendshëm i vetmi mesazh i qart është që qeveria ka vendosur të marrë përgjegjësi politike për rendin në vend.

Dhe kur them rendin, nuk kam parasysh që Shqipëria ka probleme me rendin dhe qetësinë publike. Shqipëria është nga vendet më të sigurta në Evropë sa i takon rendit dhe qetësisë urbane. Shqipëria ka problem sfidën që i bëjnë rendit grupet banditëve e të lidhura me politikën siç ishte rasti i Fushë Krujës apo raste të tjera në vend. Kjo është një sfidë në kufijtë e sfidës politike me sfidën ligjore që duhet të zgjidh policia e shtetit dhe Ministri i ri. Natyrisht pa qenë aq të ftohtë me njëri tjetrin duke imituar “shtetin”, dhe pa qenë aq miqësorë me një grusht banditësh që kapardisen nëpër Shqipëri në emër të pushtetit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN