MENU
klinika

Nga Denis Dyrnjaja

O shtet, a po sheh se hasmi po pret e vret?!

19.07.2023 - 20:42

Sot një 42 vjeçar u vra për gjakmarrje në Lezhë e la jetim 3 fëmijë. 3 shpirtëra e zemra që kanë me u rrit e jetu me trishtim të përjetshëm se baba iu vra për gjak me u la. Ky realitet makabër vijon prej dekadash. Në media harxhohen orë pa fund për gjithfarë lloj temash pa vlerë, veç për jetën dhe çmim e saj nuk flitet. Nuk flitet as për jetët që shuhen e as për jetimët që shtohen e ata që ngujohen. Nuk flet se jetët dhe gjakun e ka zëvendësuar injoranca, sipërfaqësorja, interesi dhe silikoni. Kjo braktisje viktimat por edhe jetimët i vret për së dyti. Edhe raportimet e ngjarjeve janë shndërruar në show. Por nuk mjafton kjo kur mendon se në Parlamentin e Shqipërisë nuk flitet asnjëherë për gjakmarrjen e hakmarrjen, a thua se ajo nuk është mes nesh, por diku gjetkë.

Mijëra orë sherre e debate pa asnjë bereqet, kur shqiptari ndër vete njëri tjetrin po vret. Mijëra viktima pa faj që humbin jetën papritur, për fajin e të parëve apo të afërmeve të tyre.. Një zakon i pakuptueshëm marrja e gjakut, njëjtë si dhe me mendu faljen e gjakut. Po pse me arrit njeriu deri këtu?! E paimagjinueshme për epokën ku jetojmë e për botën e civilizuar drejt së cilës duam të shkojmë. Si ka mundësi me vra pa ndalim si shoqi shoqin, fisi, fisin, komshiu, komshinë, shqiptari, shqiptarin si me qenë në luftë e jo në paqe.

Duke qenë në paqe e duke jetu si në ditë lufte, kur vdekja e morti të pret në derë të shtëpisë, në rrugë, në punë, në dyqan, apo diku aty përtej avllisë. Dhe se gjen dot justifikimin për çdo jetë të humbur për gjakun e marrë, sepse kush shpirtin e pafajshëm se fal dot prej emocionesh e sedre diku të lëndume e diku të dobësume. Për ne të tjerët që numërojmë pa, numërator jetët e humbura e shkuara kot, kjo nuk ka as kuptim, as logjikë, ndërsa për ata që jetojnë për nderin e jetës së humbur po ka, për ata padyshim që ka. Jetimët që mbesin pa babë, do rriten me ndjenjën se dikush ua vrau të atin nga fisi i hasmit e dikur gjakun e babës duhet me e marrë e nderin me e vu n’vend.

E kështu kjo hastori nuk ka më ndalë se emocioni e nderi janë më të fortë se logjika e karakteri. Provat e jetëve të humbura e thonë, madje e bërtasin këtë sa e dëgjon krejt Shqipëria. Vetëm brenda mureve të një godine, nuk dëgjohen krismat e gjakësve e kujat e nënave që iu ikin djemtë, motrave, vëllezërit e grave, bashkëshortët. Kjo godinë është godina ku bëhen ligje, godina e Parlamentit të Shqipërisë. Aty flitet për gjithçka gjithfarë lloj sendi, përveç interesit për jetën, e jetët e humbura.

Askush prej tyre nuk flet për gjakun që shkon rrëke për be. E betë s’kanë me u ndalë sa kohë nderi është koritë, e deri sa me e ç’u n’vend duhet me e kallë. Vetëm 3 ditë ka minsitri i ri i brendshëm që mori detyrën, asnjë fjalën nuk e gjeti për gjakmarrjen, këtë fenomen që më shumë se burrëror është një turp për Shqipërinë, turp që na fëlliq fytyrën. Edhe paraardhësit e tij se bënë. Asnjë nuk u mor me këtë fenomen, asnjë qeveritar, asnjë ligjvënës. Askush pra në këtë shtet nuk dëgjon dhimbjen e fëmijëve të pafajshëm që nuk ua kthen më kush babën se pushka e hasmit i pret edhe ata diku pa e ditur se ku.

E nëse doni me e ndal këtë kasaphanë gjaksore duhet me fol e me vepru shteti. E shteti flet e vepron vetëm përmes ligjit. Ligji dhe vetëm ligji i fortë. Ndoshta për kaq shumë jetë të humbura pa faj nga gjakmarrja, ja vlen më dalë edhe nga Këshilli i Europës ku kemi nënshkruar kartën e të drejtave të njeriut e me rivendos dënimin me vdekje, që dorën vrastare të hasmit ta ndalë dikur shteti dhe robi me rob e shqiptari me shqiptar mos u vra më mes vedi. Nuk jemi në luftë për të pas kaq shumë gjak e jetë të shkuara kot. Boll më!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Shoku i tij Martini u vra, ndërsa vetë mori 5 plagë me thikë

Zbardhet dëshmia e 14-vjeçarit tek Trauma!

“Takim kuqezi me shqiptarët e Britanisë“

Kryeministri Rama mesazh para turit me emigrantët në Londër

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!