MENU
klinika

Hiqen favorizimet për disa sektorë të biznesit

Pas pagave rriten dhe taksat!

05.07.2023 - 12:39

Shteti shqiptar po planifikon seriozisht të rrisë taksat për disa kategori të pasurive të paluajtshme, si: banesat, tokat bujqësore, pyjore, etj., bazuar mbi çmimin e tregut, jo të referencës të pasurisë. Lajmi u konfirmua nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj gjatë një konference për mediat. Në fjalën e saj, Ibrahimaj paralajmëroi se kjo nismë mund të zbatohet nga viti 2026, duke filluar me ndërtimet, ndërsa bëri me dije se ende është në fazën e diskutimeve me Universitetin e Tiranës dhe Universitetin Bujqësor. Nga ana tjetër, lidhur me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për heqjen e favorizimeve nga paketa fiskale të disa sektorëve, që u zbatua përgjatë 2022, ministrja Ibrahimaj tha se këto favorizime mund të hiqen, pasi e kanë përfunduar efektin e tyre të parashikuar. Pasi qeveria miratoi në 25 maj 2023 rritjen e pagave për drejtuesit e shtetit deri te punonjësit e administratës e sektorëve të tjerë të ekonomisë, Ibrahimaj tha se efekti i tyre në buxhetin e shtetit do rritet nga 11 miliardë lekë deri në 39 miliardë lekë. Lidhur me parametrat ekonomikë të Shqipërisë, ajo njoftoi se shteti ynë ka realizuar në 3 muajt e parë të këtij viti rritjen më të madhe ekonomike në krahasim me vendet e rajonit, me 2.72%.

Ibrahimaj: Nga 2026 mund të vendosim rritje takse për ndërtimet
Për rastin e pasurive të paluajtshme, shefja e MFE njoftoi se qeveria synon që nga viti 2026 të rrisë taksën për ndërtimet. Megjithatë, ajo pranoi se një nismë e tillë duhet të konsultohet gjerësisht e të merren parasysh pasojat ekonomike që do të shkaktojë. “Pr/ligji në këto momente është ende në fazën e diskutimeve dhe Ministria e Financave po vijon konsultimet me Universitetin e Tiranës dhe atë Bujqësor e do të vijojmë konsultimet deri në një projekt final. Ende nuk kemi një draft të finalizuar për taksën e pasurisë. Është një taksë që do të marrë kohën e vet për t’u implementuar. Ne parashikojmë që hyrja në fuqi e kësaj takse për ndërtesat të jetë në 2026. Ndryshimi kryesor që do të sjellë është vlerësimi i pasurive dhe pronave me çmimin e tregut. Është ndryshim thelbësor që ka nevojë për angazhim shumë të madh jo vetëm në kuadër të hartimit të ligjit, por marrjen e masave institucionale për zbatimin e tij. Kjo është arsyeja pse nisëm punën që vitin e kaluar dhe ndonëse duket që viti 2026 është shumë larg”, tha Ibrahimaj për taksimet e pasurive të paluajtshme.

Paketa fiskale për disa biznese, Ibrahimaj: Efektet mbaruan, do ta diskutojmë
Për paketën fiskale, që u zbatua që nga 2022, ministrja Ibrahimaj nënvizoi se shteti ynë ka një strategji afatmesme për menaxhimin e rritjes së të ardhurave nga bizneset, gjë që sipas saj e ka pranuar dhe FMN. Heqja e këtyre favorizimeve do të diskutohet me grupet e interesit, d.m.th. bizneset. “Ne kemi një strategji afatmesme të rritjes së të ardhurave miratuar dhe nga FMN. Aty parashikohet heqja e disa favorizimeve që zbatohet në disa sektorë, favorizime që e kanë mbaruar efektin e tyre. Do të jemi në diskutim me grupet e interesit”, tha ministrja. Nga fundi i 2021, qeveria miratoi paketën fiskale, ku eliminoheshin disa akciza, taksa kombëtare, përjashtimi nga TVSH i bizneseve me xhiro vjetore 10 milionë lekë, etj. FMN kërkoi nga qeveria që ta rishikonte këtë nismë, pasi rrezikohej rritja e evazionit fiskal dhe abuzimeve. Konkretisht, FMN propozoi që vendosej një regjim të përshtatshëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të vendosej plan tatimor afatmesëm, të thjeshtohej sistemi tatimor si dhe të rishikohet tatimi mbi të ardhurat personale.

Kostoja e rritjes së pagave, Ibrahimaj: Në 2 vite 22 mld lekë, nga 2025 bëhet 39 mld lekë
Ministrja u ndal edhe te rritja e pagave në hierarkinë e shtetit dhe administratën. Ajo saktësoi se efekti ekonomik për 2023 do jetë 11 miliardë lekë, do mbetet po kaq në 2024, ndërsa nga 2025 do arrijë në 39 miliardë lekë. Edhe pse klasa politike u sulmua për rritje të pagave të politikanëve dhe zyrtarëve të shtetit në mënyrë diskriminuese me punonjësit e administratës, Ibrahimaj u justifikua se efektin më të madh në buxhetin e shtetit do e shkaktojë shtesat e pagave për punonjësit e shtetit (98% kundrejt 1.5%). “Për 8 muajt e vitit 2023 prill-dhjetor efekti i përgjithshëm i rritjes së pagave pritet të jetë 11 miliardë lekë, për vitin 2024 pritet të ketë efekt 11 miliardë lekë dhe nga 2025 e tutje efekti do të jetë 39 miliardë lekë. Diferenca e përqindjes ndërmjet administratës dhe rritjes së pagave ministrave, deputetëve apo presidentit sigurisht është e madhe. Rritja e pagave të këtyre kategorive përbën 1.5 % të totalit këtë vit, ndërkohë 98% të totalit e përbëjnë rritja e pagave të administratës publike”, deklaroi ministrja për efektin buxhetor të rritjes së pagave në Shqipëri.

Shqipëria në vend të parë në rajon për rritje ekonomike në janar-mars 2023
Ibrahimaj “u mburr” me rritjen ekonomike të vendit tonë për 3 muajt e parë të 2023. Ajo nënvizoi se Shqipëria ka shënuar rritje më të lartë në këtë periudhë në Ballkanin Perëndimor. “Për tre mujorin e parë të vitit 2023, rritja ekonomike në vend ishte me 2.72%. Ishte një rritje mesatare. Rezultoi që rritja 2.7% ishte me e lartë se Maqedonia e Veriut e se Serbia. Mesatarja e rritjes së vendeve të BE-së ishte 1%”, u shpreh për rritjen ekonomike të Shqipërisë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN