Prokuroria Prishtinës ka marrë në pyetje dy anëtarë të kabinetit qeveritar pas përleshjes fizike të ndodhur të enjten e 13 korrikut në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të PDK-së dhe ministrave të Qeverisë e deputetëve të pushtetit.
Sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi” brenda prokurorisë, deri më tani janë dëgjuar zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Sipas këtij burimi pritet që të intervistohen edhe persona të tjerë.
Gjatë ditës së djeshme, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku ka shkruar në Facebook se ka marrë ftesë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Ndërkohë dje Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se lidhur me rastin e ndodhur në Kuvend ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë përleshje.
Përleshja në parlament: U goditën Bislimi dhe Kurti
Parlamenti i Kosovës u përfshi më 13 korrik nga përleshjet fizike ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike dhe përfaqësuesve të pushtetit. Përleshjet shpërthyen ndërsa kryeministri Albin Kurti po fliste për situatën në veri të Kosovës dhe pajtimin që është arritur me Bashkimin Evropian për hapat e parë drejt uljes së tensioneve. Fjalimi i tij u pengua nga deputetët e opozitës duke brohoritur dhe duke e cilësuar si “gënjeshtar”. U desh ndërhyrja e sigurimit të kryeministrit për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa kryetari i Parlamentit kërkoi edhe ndërhyrjen e policisë. Përplasjet fizike vazhduan edhe në orët e pasdites pasi deputetë të opozitës bllokuan foltoren e parlamentit dhe penguan për disa orë mbajtjen e seancës së parlamentit.