MENU
klinika

Para, yje dhe talente...

Pse është “i rrezikshëm” revolucioni i Tiranës

02.07.2023 - 17:49

Paratë, gjithçka rrotullohet rreth tyre. Futbolli nuk bën përjashtim, përkundrazi është bërë më i shtrenjtë dhe më i paparashikueshëm. Shkëlqim Muça thoshte një ditë më parë, me të drejtë, se për të pasur sukses, duhen investime në futboll.

Natyrisht, duhet edhe një plan i detajuar, edhe njerëzit e duhur në aspektin e karakterit, shumë mund e sakrifica dhe në fund pak fat. Ja, ky është futbolli. Ose kështu funksionon prej disa dekadash në fakt. Tani, ç’lidhje ka Tirana këtu? Pa dyshim që ka gjithnjë lidhje, sepse është klubi më i titulluar në vend, që mbylli një sezon me shumë polemika dhe pa asnjë trofe, por ndërkaq ka bërë një sforco të jashtëzakonshme financiare. Pse? Sepse e nisi duke rinovuar kontratën me rritje të Shehit dhe vazhdoi bujshëm duke sjellë disa emra të spikatur si Latifi, Selmani, Doka, Jonuzi, Kaina, Mici, Obanor dhe së shpejti pritet edhe Hoxhallari. A dalin llogaritë? E kemi fjalën jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë financiar? Varet…

KALIMI I TURIT
Tirana është “e dënuar” të kalojë një tur, pra të eliminojë Dinamo Batumin dhe më pas të provojë shanset me një gjigant si Beshiktashi. Po pse është kaq jetike të kalohet turi i parë? Sepse, nëse shkojnë deri në turin e dytë të Ligës së Konferencës minimalisht do të arkëtonin 550 mijë euro. Nuk janë shumë në kohët e sotme, aq më tepër kur bën llogaritë me shpenzimet që kanë 26 herë kampionët e Shqipërisë, por gjithsesi janë ca të ardhura të mira. Përveçse ndonjë lojtar mund të ekspozohej në sytë e menaxherëve të huaj dhe të shitej, duke shtuar ca para më shumë në arkat e bardhebluve. Prandaj edhe Halili, ashtu me batuta, i çoi SMS ekipit se duhet të kalohet një tur. Është jetik për ecurinë e sezonit. Marketingu, e drejta TV (nëse luajnë me Beshiktashin, etj), janë një tjetër llogari. Ndërkaq, një shitje e mundshme e Florent Hasanit drejt Arabisë (siç flitet nën zë prej kohësh) do të konsolidonte akoma më shumë gjendjen financiare në klub. Por a janë financat dilema e vetme. Jo.

ABAZAJ & CO
Shumë yje në ekip mund të përkthehet edhe si shumë “gjela”. Ky mund të jetë problemi më i vogël për një “usta” të marrëdhënieve brenda grupit si Shehi, por gjithsesi mbetet një bast për të. Latifi, Kaina, Abazaj, Lushkja, Hasani (nëse qëndron), Doka, Mici, Hoxhallari (nëse vjen) duhen menaxhuar mirë dhe me efikasitet. Mirëpo duhet punuar shumë me gjendjen fizike të tyre. Abazaj nuk mund të kalojë një tjetër sezon me sforco, nëse Tirana kërkon të rimarrë titullin. Lushkja duhet të gjejë formën e dikurshme, ndërsa Kaina nuk mund të jetë lojtari që herë qëndron në stol dhe herë titullar. Albi Doka është ende shumë i ri (26), por sezonin e fundit me Honvedin luajti vetëm 14 ndeshje si titullar. Gledi Mici vjen nga Prishtina, shumë eksperiencë, shumë personalitet dhe dëshirë për të lënë gjurmë, por duhet të tregojë se është ai që merrte krahun si raketë dhe trajnerët e Kombëtares dikur e mbanin gjithë kohën në vëzhgim.

Latifi ndërkaq ka shumë për të thënë. Një sezon në hije me Vllazninë nuk zhbën talentin dhe cilësitë që ka “shigjeta” nga Prishtina, por duhet të tregojë se ka ende uri dhe se problemet me shëndetin tanimë janë një kujtim i hidhur. Patrik gjithashtu është një “mister” i madh. Braziliani u dëmtua në kulmin e tij me bardheblutë dhe mbetet për t’u parë se në ç’gjendje do të kthehet. Dëmtimet e gjata duan kohë të gjatë që të rifitosh formën, por Tirana shpeshherë vetëm kohë nuk të jep… Kjo është fushata më e bujshme e Tiranës me emrat që ka afruar gjatë dekadës së fundit, por duhet ta tregojnë në fushë se mund të bëjnë gjëra të mëdha.

TË RINJTË
Tirana nuk duhet të heqë dorë nga praktika e rritjes së lojtarëve të rinj. Muçi, Ismajlgeci etj, kanë shtruar rrugën për të treguar se klubi është në gjendje të luftojë për trofe, por edhe t’u japë një dorë të rinjve. Mirëpo kur sheh blerjet e fundit të bardhebluve, bëhet fjalë për lojtarë me peshë të projektuar për formacion dhe kjo mund të jetë “asfiksuese” për ndonjë të ri që kishte shpresa se për shkak të largimit të Aleksit, Toshevskit, Bekajt, etj mund t’i sfidonte “senatorët” për të qenë titullar. Edhe kjo është një çështje për t’u parë në vijim. Prandaj edhe “revolucioni” i Tiranës gjatë këtyre javëve është i bukur, i bujshëm, por edhe i rrezikshëm.

Futbollisti jep lajmin e ëmbël pas shënimit të supergolit

Granit Xhaka do të bëhet baba për herë të tretë

Flik: Pyesni lojtarët!

Barça nuk fiton dot pa Jamal!

Erjon Bogdani karikon mesfushorin e Kombëtares

“Inter besoji Asllanit, nuk të zhgënjen! Broja për Milanin”

I ka bindur të gjithë përveç… Silvinjos

Milani bën gati ofertën për Kristian Shpendin

U dëmtua me Kombëtaren në momentin më të mirë

Muçi mëson sa do të qëndrojë larg fushave të lojës