Berlini i ka dhënë ditën e djeshme një “shuplakë të fortë” kryeministrit Rama duke i treguar vendin që i takon në lidhje me maninë e tij për të mbartur misione prej lideri global që askush nuk ia jep. Qeveria gjermane refuzoi të komentojë ditën e djeshme draftin e Ramës për asosacionin dhe tha më hapur se kurrë se bisedimet po i zhvillon me aktorët kryesorë, pra me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin kosovar Albin Kurti. “Kërkojmë mirëkuptimin tuaj që nuk e komentojmë propozimin e kryeministrit shqiptar. Po ashtu, së bashku me partnerët tanë evropianë dhe përfaqësuesin special të BE-së (Miroslav) Lajçak, jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët relevant për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës”, ka thënë për mediat zyra për shtyp e qeverisë gjermane.
Si doli jashtë loje Rama
Rama thirri pak ditë më parë një “konferencë të jashtëzakonshme” shtypi dhe lajmëroi se kishte vënë “botën perëndimore” në lëvizje, si SHBA-në, Gjermaninë dhe Francën, duke iu dorëzuar një draft për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi. Natyrisht, kuptohet që askush nuk ia ka kërkuar Edi Ramës këtë nder, pasi këtë fakt përveç Gjermanisë e konfirmuan dhe liderët e Beogradit dhe Prishtinës. Draftin e tij nuk e përfilli njeri. Albin Kurti tha se nuk e ka parë dhe as lexuar draftin e asociacionit të propozuar nga kryeministri Edi Rama. “Unë i besoj Ramës, që ai beson se ai model është i mirë për pakicat kombëtare. Por dhe duke u bazuar në Kushtetën e Shqipërisë, neni 8 pika 1 por dhe kontenstin politik ku ndodhemi unë po tregoj se ku është adresa dhe cila duhet të jetë kërkesa për këtë model. Adresa Beogradi. Kërkesa për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nuk e di nuk e kam lexuar por i besoj Ramës, që ai beson se ai model është i mirë dhe i duhur”, tha Kurti. Edhe Vuçiç nuk e ka pranuar propozimin e kryeministrit Edi Rama për Asociacionin. Ai deklaroi se as kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe as ai i Kosovës, Albin Kurti nuk kanë të drejtë të bëjnë një propozim për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. Lideri serb ripërsëriti se të drejtën e propozimit të këtij statuti e ka vetëm ekipi menaxhues, për të cilin është rënë dakord më herët, i përbërë nga serbët. “Kur dëgjoni që Kurti ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, se Rama ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, që disa OJQ kanë propozimin e tyre për Asociacionin e komunave serbe, asnjëri prej tyre nuk ka të drejtë të ketë propozime. Ai propozim duhet të bëhet nga serbët dhe ekipi menaxhues i përbërë nga serbët”, tha Vuçiç.
Lirimi i 3 policëve
Përveç draftit të asociacionit, edhe lirimi i tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga Serbia, pas 12 ditësh në paraburgim, u kthye në një luftë egosh personale, midis liderëve ballkanikë, palëve ndërkombëtare dhe çdo lloj aktori tjetër që pretendonte se kishte disi ndikim. Që nga kryeministri i Shqipërisë e deri tek kryeministri hungarez Viktor Orban, të gjithë u dukën se “rrahën gjoksin” për të marrë meritat, ndonëse në thelb, por Kosova edhe një herë tjetër, në fund falenderoi vetëm Amerikën. Një telefonatë e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe ultimatum i përsëritur i SHBA-së, duket se vulosën gjithçka. Edhe në këtë situatë Rama doli jashtë loje.