Kryeministri Edi Rama tha se shqiptarët janë të parët që duhet t’i japin zë dhe ta çojnë përpara planin franko-gjerman. Teksa ishte i ftuar në një intervistë për ‘Euronews Albania’, Rama tha se Kosova ka mundësinë të shfrytëzojë mundësitë që po i jepen për ta detyruar Serbinë ta pranojë këtë plan dhe t’i hapë vetes dyert drejt njohjes dhe të ardhmes.
“Unë i kam thënë opinionet e mia dhe ajo që shumëkush ndër ata që komentojnë duke iu hakërryer apo duke iu ankuar apo duke iu shprehur ndjenja negative miqve, partnerëve, aleatëve tanë është se ndërkohë që flasim, ndryshe nga të gjitha herët e tjera në të shkuarën, Kosova ka në tryezë ofertën më të mirë të mundshme për të ardhmen e saj. Ka në tryezë planin franko-gjerman, që është Kosova në radhë të parë dhe jemi ne shqiptarët të parët të interesuarit që duhet ta shtyjmë përpara deri në fund duke këmbëngulur për tryezën, duke këmbëngulur për të shfrytëzuar këtë potencial të madh, të aleancës dhe të miqësisë me bashkësinë euroatlantike për ta detyruar Serbinë që ta pranojë planin franko-gjerman, që do të thotë praktikisht hapja përfundimtare e rrugës së të ardhmes për një Kosovë të njohur nga të gjithë dhe të ulur në ulësen e vet në Kombet e Bashkuara. Nëse harrojmë këtë atëherë hyjmë në një pyll pa spat kur i thonë dhe nuk kuptojmë më se për çfarë flasim,” – u shpreh Rama.