Kryeministri Edi Rama ndodhet në samitin e NATO-s në Lituani. Një takim e ka patur edhe me kryeministrin grek, Mitsotakis si dhe me Scholz e Macron, ose siç i cilëson Rama ‘kumbarët’ e dialogut Kosovë-Serbi.
Megjithëse dialogu Kosova-Serbi vijon të jetë një ndër çështjet më të diskutuara nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Rama do të mbajë një takim edhe teksa marrëdhëniet e vendit tonë me Greqinë janë gjithashtu kryefjalë.
Një kryeçështje përtej Ukrainës, anëtarësimit të Suedisë në NATO dhe dialogut Kosovë-Serbi pritet të jetë edhe arrestimi të kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Fredi Beleri, i cili aktualisht ndodhet mbrapa qelisë për shitblerje votash. Më herët pala greke ka ‘kërcënuar’ se këtë çështje do tua parashtronte edhe mekanizmave ndërkombëtarëve.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave. Po ashtu, Beleri sipas organit të akuzës, u premtonte se do t’i përfshinte në skema për përfitimin e shtetësisë greke dhe të pensionit nga shteti grek. Ndërsa përmes bashkëpunëtorëve të tij dyshohet se paguante shuma nga 50 deri në 200 euro për një votë në favor të tij. Pavarësisht hetimeve të nisur ndaj tij, Fredi Beleri mori Bashkinë e Himarës me 19 vota më tepër, përballë kandidatit socialist Jorgo Goro.
Liderët e NATO-s do të takohen në Vilnius më 11 dhe 12 korrik për të trajtuar një sërë çështjesh, duke nisur nga ndasitë lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës dhe pranimin e Suedisë, e deri te rritja e furnizimeve me municion dhe shqyrtimi i planeve të mbrojtjes pas shumë dekadash.
Ky do të jetë samiti i katërt i NATO-s që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, pasi samiti i parë ishte mbajtur virtualisht më 25 shkurt 2022, një ditë pasi Rusia nisi luftën. Dy samitet e tjera janë mbajtur në Bruksel dhe Madrid