Ka një pjesë të madhe të njerëzve, që shkruajnë dhe bëjnë profetin për fundin e “Ballkan Open”, pas deklaratës së Ramës për përmbylljen e kësaj nisme. Shumëkush i është referuar marrëdhënieve ballkanase historike por edhe miopisë së organizatorëve të tyre!! Ashtu, si gjithmonë është ditur se nismat tona rajonale, marrëdhëniet mes vendeve tona, nuk është se kanë qenë aq të gjata. Në socializëm mbase kishte një mundësi prej sistemit socialist (flasim për një hapësirë tjetër gjeografike), paçka se Informbyroja dikur prishi shumë ekuilibra.
“Ballkan Open” e mbylli misionin fillimisht prej ngopjes së vetë njerëzve që e inincuan. Duhej të funksiononte një sekretariat, duhet të kishte një administratë, që deklaratat dhe premtimet e politikanëve t’i zbatonin dhe mbi të gjitha të kishte fonde. Ndërkohë, që në vendet tona, por kuptohet më së shumti në pjesën shqiptare, një masë e madhe “të pavarurish” akuzonin se Serbia po fiton supremaci ekonomike dhe po shpaloste të gjithë kapacitetet e saj në kurriz të dy vendeve të tjera: Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Rama, Vuçiq dhe Zaev (Kovaçevski), liderët që duhet ta përçonin më shumë frymën e humbën kohën duke anatemuar vendet që nuk pranonin dhe iu “përveshën” Kosovës, që nga ana e vet e mohoi këtë nismë, por nga ana tjetër fuqizoi potencialin e eksporteve serbe në Kosovë, përkundrejt atyre shqiptare.
Katër liritë themelore, që duhet të përçonte, “Ballkan Open” i liruan deridiku marrëdhëniet tona, paçka se ishin shumë të ngjashme me parimet bazë të Procesit të Berlinit, por njësia federative Republika Srpska, duke ia mohuar vizat Kosovës, provoi sesa e brishtë është gjithçka. Kurse disa nga vendet tona në Ballkan, tashmë lëvizin vetëm me ID, qoftë dhe para kësaj ininciative.
“Ballkan Open” u përball edhe me forcën e hijen e Procesit të Berlinit në vetvete. Falë këtij të fundit, ka nisur një përmirësim i lehtë në rajon i sistemit hekurudhor (327 kilometra), u shtuan 560 km të linjave 400 kV, 123 MË energji të ripërtritshme dhe kemi plot 176 km gazsjellës. Duke shtuar këtu edhe mbështetje për mijëra biznese. Nga ana e vet, “Ballkan Open” nuk arriti të gjeneronte dot kaq shumë gjëra, ndërkohë që goditjen më të madhe e mori nga e folura plot ekuivoke e zyrtarëve të ndryshëm evropianë dhe të Shteteve të Bashkuara, që e panë vazhdimisht nga sipër. Dëgjoje prononcime të mira të ambasadorëve dhe paradokse të personaliteteve të vendeve të tyre. Kancelarja Merkel e snoboi hapur në Tiranë e Beograd “Open Balkans”. Presidentja e Komisionit Evropian, von Der Leyen bëri gati të njëjtën gjë. Escobar e bëri edhe më konfuz: (a) qëllimi i Ballkanit të Hapur nuk duhet të jetë bashkëpunimi rajonal, por integrimi në strukturat evropiane, (b) Ballkani i Hapur është projekt ekonomik dhe nuk mund jetë projekt politik, (c) të shmanget duplifkimi me iniciativat ekzistuese, dhe (d) të sigurohet gjithëpërfshirja. Ambasadori Hill e vlerësoi nga ana tjetër.
Kosova e mohoi, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina patën një lloj tërheqje, por në javët e fundit, “Ballkan Open” ishte harruar, derisa Rama papritur shpalli përfundimin dhe nisjen e përmendjes së “Procesit të Berlinit”, që pothuaj ishte harruar. Në orët e fundit duke e mbrojtur “Ballkan Open”, Rama do shprehej nga Shkupi për një gazetar: “Pyetjen e bën sikur unë kam bërë një faj, nga i cili unë kam nxjerrë një mësim. Ballkanin e Hapur 1000 herë të kthehesha mbrapa 1000 herë do ti ribëja. Është një nga 72 iniciativat që ka në këtë rajon. Çfarë e keqe i ka ardhur nga Ballkani i Hapur Rajonit përveç të mirave. Merrini shikoni shifrat e tregtisë midis vendeve dhe mos harroni se çfarë është bërë nuk zhbëhet.
Edhe Procesi i Berlinit ka përfituar nga Ballkani i Hapur shtysën. Nuk e kuptoj sesi ka akoma dyshime për këtë kur faktet flasin qartë. Kush nuk ka marrë pjesë në Ballkanin e Hapur ka bërë gabim për veten e vet”.
Po kujt i duhet kjo kënaqësi përfundimi para kohe?! Një nismë, që pati jo pak përkrahës, tashmë arkivohet, duke u dhënë pak karburant shumë ballkanasve, që nuk duan asgjë që të shkojë drejt paqes nga vetë ballkanasit.