Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni të Veriut, mbrojti vendimin e qeverisë së saj për të vendosur sanksione ndaj biznesmenit maqedonas, Jordan Kamçev.
Ajo tha se masa ishte e nevojshme për të luftuar korrupsionin dhe do të kishte një ndikim pozitiv në aspiratat e vendit ballkanik për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi të mërkurën sanksione kundër biznesmenit maqedonas, 52-vjeçarit Jordan Kamçev.
Në sanksione u përfshi ngrirja e çdo pasurie të tij aktuale në Shtetet e Bashkuara dhe ndalimin e çdo marrëdhënie biznesi me qytetarët amerikanë.
“Shpërdorimi i detyrës, pastrimi i parave, ryshfeti dhe vepra të tjera që ai ka kryer, jo vetëm që gërryen besimin e publikut ndaj sektorit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, por gjithashtu përfaqësoi një tradhti të për popullin e këtij vendi”, u tha gazetarëve në Shkup, ambasadorja e SHBA-së, Angela Ageler.
Që vendi të arrijë objektivin e tij për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, “korrupsioni nuk mund të kalojë i pakontrolluar”, tha Ageler.
Kamçev drejton një grup të fuqishëm biznesi me investime në pasuri të paluajtshme, kujdes shëndetësor, ndërtim dhe bujqësi dhe ka qenë objektivi i disa hetimeve të profilit të lartë për korrupsion në Maqedoninë e Veriut.
Kamçev është drejtor i kompanisë “Orka Holding”, të themeluar që nga viti 1990 nga babai i tij. Ai është bashkëpronar i spitalit privat “Sistina” në Shkup, por edhe i shumë bizneseve tjera.
Sanksionet nënkuptojnë bllokimin e të gjitha pronave të tij në tokën amerikane si dhe Kamçevit i ndalohet të bëjë biznes me subjekte amerikane.
Zyrtarët qeveritarë në Maqedoninë e Veriut nuk e kanë komentuar vendosjen e sanksioneve ndaj biznesmenit.
Bashkimi Evropian ka renditur tejkalimin e vonesave në reformat gjyqësore dhe luftimin e korrupsionit si prioritete për përpjekjet e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.