MENU
klinika

Gjahu për spiunin rus

Si e përdori FSB-ja një meksikan për ta zbuluar një tradhtar në Majami?

03.07.2023 - 08:52

Më 13 shkurt 2020, një mikrobiolog meksikan, i arsimuar në Rusi, i cili ka punuar në Singapor, mbërriti në aeroportin e Majamit, në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe mori me qira një veturë.

Të nesërmen, burri dhe njëra prej dy grave të tij udhëtuan drejt një kompleksi banesor në Majami, dhe hynë në të nëpërmjet portës së sigurisë, duke ndjekur nga afër një veturë para tyre. Kur rojat e sigurisë, të alarmuara nga veprimet e pazakonta, gjetën automjetin dhe konfrontuan burrin, gruaja e tij shkrepi një fotografi të targave të një veture që ndodhej afër. Ata u urdhëruan të largoheshin.

Vetura, targa e së cilës u fotografua, i përkiste “një burimi sekret të Qeverisë së SHBA-së, i cili më herët kishte ofruar informacione për aktivitetet [e Shërbimit të Inteligjencës së Rusisë], që rrezikonin interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, sipas një deklarate të bërë nga Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI), më 2020.

Identiteti i “burimit njerëzor të Qeverisë së SHBA-së” deri më tani ka qenë një sekret i ruajtur. Megjithatë, një libër që do të dalë në fund të këtij muaji ka identifikuar se kush ishte ai, duke treguar për një kërkim të ndërlikuar, të sofistikuar dhe shumëvjeçar nga agjencitë ruse të inteligjencës për të identifikuar dhe ndoshta edhe vrarë personin.

Aleksandr Poteyev ishte njeriu që po kërkohej, një ish-oficer i Shërbimit të Jashtëm Rus të Inteligjencës, informacionet që ia ka dhënë FBI-së rreth një dekadë më parë, shkaktuan një nga skandalet më të mëdha të spiunazhit në historinë moderne të SHBA-së, duke çuar në arrestimin e dhjetë agjentëve rusë “të heshtur” që jetonin të fshehurazi në SHBA, me identitete të rreme.

Rusët u larguan shpejt nga Shtetet e Bashkuara. Në këmbim, katër rusë të burgosur me akuza për spiunazh në vendin e tyre, duke përfshirë një ish-oficer të inteligjencës ushtarake të quajtur Sergei Skripal, u liruan dhe u transferuan në Perëndim në një shkëmbim të stilit të Luftës së Ftohtë.

Pas dëbimit të rusëve, asokohe kryeministër, Vladimir Putin, nuk e fshehu zemërimin e tij ndaj personit që, sipas tij, tradhtoi vendin e tij.

“Njerëzit sakrifikuan jetën e tyre për t’i shërbyer atdheut dhe doli që një kafshë i tradhtoi”, tha Putin gjatë një telefonate që u transmetua në televizion në dhjetor të vitit 2010. “Si do të jetojë ai me këtë fakt? Si do të mund t’i shikojë ai fëmijët e tij në sy? Derr!”.

“Sa për tradhtarët, ata do të vdesin vetë. Çfarëdo që të marrin në vlerë prej 30 copa argjendi, do t’u mbetet në fyt”, tha ai.

Skripal dhe vajza e tij gati vdiqën pasi u ekspozuan ndaj një toksine të fuqishme nervore të kohës sovjetike në Salisbury në Britani të Madhe në vitin 2018, madje një grua britanike, e cila gjithashtu ra në kontakt me helmin, vdiq.

Autorët u identifikuan si dy agjentë të inteligjencës ushtarake ruse nga autoritetet britanike.

Ndërkohë, Poteyev mendohet se është ende gjallë.

“Ne mund të ndihmojmë njëri-tjetrin”
Hector Alejandro Cabrera Fuentes, 38 vjeç, është meksikani që u deklarua fajtor për akuzat e agjentëve të huaj amerikanë në vitin 2022 dhe pritet të lirohet nga një burg amerikan muajin e ardhshëm.

Përfshirja e tij në rastin Poteyev, u zyrtarizua fillimisht në librin që do të publikohet, “Spiunët: Lufta epike e inteligjencës midis Lindjes dhe Perëndimit”, një kopje të të cilit Radio Evropa e Lirë tashmë e ka siguruar.

Autori i librit, Calder Walton, një studiues në Shkollën Kennedy të Universitetit të Harvardit, i tha Radios Evropa e Lirë se dy zyrtarë të inteligjencës amerikane e informuan atë për lidhjen e Fuentes me Poteyevin.

New York Times i konfirmoi në mënyrë të pavarur gjetjet.

Sipas dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë, Fuentes ra dakord të ndihmonte oficerët e inteligjencës ruse diku ose rreth majit të vitit 2019, kur gruaja e tij e dytë, një grua ruse, dhe dy vajzat e tyre erdhën në Rusi nga Gjermania për t’i zgjidhur disa probleme lidhur me dokumentet. Në atë kohë, Fuentes ishte i punësuar si hulumtues profesional në Qendrën Kombëtare të Zemrës në Singapor.

Kur udhëtimi i tyre mbaroi, zyrtarët rusë nuk lejuan që gruaja dhe fëmijët e saj të largohen nga Rusia.

Në deklaratën e FBI-së thuhet se pas kësaj, Fuentes udhëtoi për në Moskë dhe bisedoi me një zyrtar rus të paidentifikuar, të cilin e njihte nga “takimet dhe shkëmbimet profesionale” të mëparshme.

Më pas, burri rus i ofroi Fuentes një “printim të shtypur” të një emaili nga llogaria Gmail e Fuentes, nga viti 2015, duke vënë në dukje se Fuentes kishte kërkuar vendbanim në Majami. Burri dyshohet se i tha Fuentes: “Ne mund të ndihmojmë njëri-tjetrin”, pasi vuri në dukje se gruaja dhe vajzat e Fuentes nuk ishin në gjendje të largoheshin nga Rusia.

Sipas FBI-së, rusi më pas e këshilloi Fuenten që të merrte me qira një apartament në Majami në të njëjtën ndërtesë ku ishte duke banuar Poteyevi, por ta bënte këtë duke përdorur emrin e një personi tjetër.

Në dhjetor të vitit 2019, Fuentes i përfundoi qiraja. Më vonë atë muaj, ai vizitoi përsëri zyrtarin rus në Moskë, i cili i dha udhëzime Fuentes për të gjetur makinën e Poteyevit, të shkruante targën dhe të shihte se ku ishte parkuar në ndërtesë. Megjithatë, burri dyshohet se e paralajmëroi Fuenten që të mos e fotografonte makinën, sipas deklaratës së betimit.

Më 16 shkurt, dy ditë pasi u përballën me personelin e sigurimit në kompleksin e apartamenteve, Fuentes dhe gruaja e tij e parë u arrestuan nga autoritetet kufitare amerikane në aeroportin e Majamit, ku do të hipnin në një fluturim për në Meksiko Siti. Agjentët kontrolluan telefonin e gruas së Fuentes dhe gjetën një fotografi të targës së makinës që ajo kishte bërë në garazhin e parkingut, dhe një tjetër që ajo ia kishte dërguar Fuentes përmes platformës WhatsApp.

Kur Fuentes të nesërmen u mor në pyetje nga agjentët e FBI-së, thuhet në deklaratë, ai zbuloi situatën, ku ishin përfshirë gruaja tjetër e tij dhe vajzat e tyre, të cilave iu ishte mohuar të largoheshin nga Rusia. Dhe, ai ia ktheu mesazhet e tij njeriut që besonte se punonte për Shërbimin Federal të Sigurisë, agjencia kryesore e inteligjencës ruse, e njohur si FSB.

Fuentes u arrestua më 18 shkurt 2020, me akuzën se ishte agjent i huaj i paregjistruar. Ai u deklarua fajtor për dy vjet më vonë dhe më pas u dënua me katër vjet burgim.

“Unë kam zero interes për t’u përfshirë në diçka të tillë që tani e tutje”, i tha ai gjykatës në dënimin e tij më 22 qershor të vitit 2022.

Autoritetet amerikane thanë se do ta deportonin Fuenten pasi ta përfundonte dënimin. Ai është planifikuar të lirohet muajin e ardhshëm, më 16 korrik, nga një burg federal i sigurisë minimale në Karolinën e Jugut.

Avokati i Fuentes i cili punon në Majami, Ronald Gainor, konfirmoi lirimin e ardhshëm të Fuentes dhe deportimin e pritur, por nuk kishte asnjë koment të tjetër.

“Ne e dimë se kush ku është ai”
Për vite me radhë, Poteyev punoi për Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, i njohur si SVR, i cili së bashku me FSB-në është një nga agjencitë kryesore pasardhëse të Komisionit për Sigurimin e Shtetit apo KGB-së.

Pasi informoi zyrtarët amerikanë për rrjetin rus të spiunazhit “të paligjshëm”, ai u arratis nga Rusia dhe u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas një programi të mbrojtjes së dëshmitarëve që thuhet se mbikëqyrej nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës apo CIA. Emri i tij u shfaq publikisht në rrjedhjet në mediat ruse në fund të vitit 2010.

Në një raport të nëntorit 2010 për një dezertor të rangut të lartë të SVR-së, gazeta ruse Kommersant citoi një zyrtar të paidentifikuar të Kremlinit që thërriste emrin e Ramon Mercaderit, agjentit sovjetik që vrau Leon Trotsky me një kaçavidë në Meksiko Siti në vitin 1940.

Ne jemi në dijeni për identitetin dhe vendndodhjen e tij. Ai ose tradhtoi për përfitime financiare ose sepse thjesht u zbulua. Oficeri u citua të thoshte, “por, ju mund të jeni i sigurt se Mercader tashmë është dërguar për të”.

Gazeta e përditshme ruse, Kommersant raportoi spiunin si një oficer tjetër nga SVR-ja, por Poteyevi u identifikua zyrtarisht për herë të parë disa ditë më vonë.

Poteyev u dënua me 25 vjet burgim nga një gjykatë e Moskës në korrik të vitit 2011, pothuajse një vit pasi u arratis nga Rusia dhe afërsisht shtatë muaj pasi Putini kërkoi publikisht që spiunët që tradhtojnë Rusinë të ekzekutoheshin.

Përpjekja për ta përdorur Fuentes për të ndjekur Poteyevin nuk ishte e para.
Sipas një hetimi të Times nga viti 2018, një sulmues rus thuhet se fluturoi për në Florida në fund të vitit 2013 ose në fillim të vitit 2014 në kërkim të një agjenti të inteligjencës ruse që kishte dezertuar. Individi thuhet se po ndiqej nga autoritetet amerikane. BBC më vonë e identifikoi individin si Poteyev.

Dy vjet pas përpjekjes së pretenduar, në korrik të vitit 2016, gazeta ruse Interfax raportoi se Poteyevi dyshohet se kishte vdekur, duke cituar oficerë të paidentifikuar të inteligjencës. Lajmi u raportua gjerësisht brenda dhe jashtë Rusisë.

Në fakt, rrëfimi mund të ishte krijuar për të “shuar” Poteyevin, për ta detyruar atë të telefononte familjen e tij në Rusi dhe të ndihmonte spiunët rusë për ta gjetur.

Por, në fillim të atij viti, sipas BuzzFeed News, Poteyev aplikoi për një licencë peshkimi në Florida duke përdorur identitetin e tij të vërtetë. Ai, gjithashtu, u regjistrua për të votuar me emrin e tij të vërtetë, gjë që habiti ekspertët e sigurisë.

Shtetet e Bashkuara njoftuan dëbimin e 10 diplomatëve rusë në prill të vitit 2021, duke i fajësuar ata për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe pjesëmarrje në sulme kibernetike kundër institucioneve qeveritare amerikane. Ata njiheshin si agjentë të inteligjencës që vepronin nën mbulimin diplomatik në disa raste.

Sipas Times, njëri nga ta ishte shefi i stacionit të SVR-së në Uashington, i cili u shkarkua si rezultat i komplotit kundër Poteyevit./REL