MENU
klinika

Analiza

Si u bë Deti Baltik “liqen i NATO-s”

14.07.2023 - 13:05

NATO së shpejti do të bëhet me 32 anëtarë, dhe nëse ka një palë që nuk është e kënaqur, është pa dyshim Rusia. Zgjerimi i aleancës ushtarake perëndimore krijon probleme të mëdha për Moskën, dhe jo pa arsye. Një NATO “e ringjallur” do të forcojë kontrollin në Detin Baltik, duke komplikuar një rrugë jetike tranziti për marinën e Vladimir Putinit, pikërisht në “oborrin e shtëpisë së Rusisë”, siç shkruan Politico. Samiti i kësaj jave i aleancës në Vilnius ishte i pari i Finlandës si anëtare e NATO-s. Në prag të samitit, Turqia ra dakord të mbështeste ofertën e Suedisë për t’u anëtarësuar, duke i hapur rrugën një ndryshimi strategjik në një rajon ku dikur dominonte Moska.“Suedia dhe Finlanda e bëjnë NATO-n shumë më koherente gjeografikisht. Deti Baltik bëhet një liqen i NATO-s, i cili është shumë i rëndësishëm, edhe për shkak të Arktikut,” tha Ulrike Franke, një anëtare e lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.  NATO ka rritur vazhdimisht kontrollin e saj mbi Detin Baltik, një portë detare kyçe për flotën ruse, e cila ka baza pranë Shën Petersburgut dhe në enklavën e Kaliningradit të militarizuar rëndë. Gjatë Luftës së Ftohtë, vetëm Danimarka dhe Gjermania në skajin më të largët perëndimor të Balltikut ishin në aleancë. Polonia që iu bashkua NATO-s në 1999 dhe tre republikat baltike në 2004 vendosën pjesën më të madhe të bregut jugor të detit nën kontrollin e aleancës.

3D Render of Nord Stream 2 gas pipeline emerging on map of Europe connecting Russia and Germany through Baltic Sea

Goditje për Moskën

Finlanda dhe Suedia në NATO do të mbyllin kalimin në det nga veriu, duke e lënë Rusinë me akses të kufizuar. Të dy vendet hoqën dorë nga neutraliteti historik dhe majin e kaluar aplikuan për t’u bashkuar me aleancën pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.Kjo nënkupton zgjerimin e ndjeshëm të kufirit të NATO-s me Rusinë dhe forcimin e mbrojtjes në Evropën Veriore.Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës nënkupton gjithashtu zgjerimin e pranisë së aleancës në Arktik, një rajon gjithnjë e më strategjik për Rusinë dhe Kinën. Moska nuk është aspak e kënaqur.”Është jashtëzakonisht e rëndësishme të kuptojmë në kushtet aktuale se infrastruktura ushtarake ruse nuk është zhvendosur kurrë drejt Evropës Perëndimore, ajo ka lëvizur gjithmonë në drejtim të kundërt,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. “Është sigurisht për të ardhur keq që evropianët nuk e kuptojnë këtë gabim”.

“Liqeni i NATO-s”

Prania e Suedisë dhe Finlandës si anëtarë do të reflektohet plotësisht në planet, stërvitjet dhe objektivat e aleancës, siç tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Dy vendet nordike do të ndihmojnë që “premtimi magjik” i Nenit 5 të bëhet më efektiv, sipas Kristine Berzina, drejtoreshë menaxhuese për Geostrategy North të Fondit Gjerman Marshall. Sipas nenit 5, një sulm i armatosur kundër një ose më shumë anëtarëve konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve Shtimi i ushtrive suedeze dhe finlandeze të pajisura mirë do ta bëjë shumë më të vështirë për Rusinë që të organizojë ndonjë sulm në rajon. Në terren, kjo do të thotë më shumë shkëmbim informacioni, më shumë stërvitje dhe planifikime të përbashkëta dhe më shumë integrim ushtarak.

Anëtarësimi i Suedisë në NATO po bën realitet

Ushtarë, nëndetëse, 5G

Ndërsa përfitojnë nga mbrojtja e NATO-s, Stokholmi dhe Helsinki do të sjellin gjithashtu asete bonus, për sa i përket mbrojtjes ajrore, forcave tokësore dhe aftësive detare. Sipas mediave finlandeze, Helsinki ka një nga arsenalet më të mëdha të artilerisë dhe forcat tokësore në Evropë, duke kaluar në renditje edhe “pesha të rënda”, si Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe. Ndërsa forcat ajrore suedeze janë të pajisura me avionë luftarakë Saab JAS 39 Gripen të zhvilluara në vend, të krijuar për t’iu përgjigjur një sulmi rus dhe që shihet si një armë e mundshme që mund t’i dhurohet Ukrainës.Përtej armatimit, Suedia dhe Finlanda mund të ndihmojnë gjithashtu NATO-n me 5G, gjeneratën e pestë të infrastrukturës së telekomunikacionit, tha Grand. Nokia e Finlandës, Ericsson i Suedisë dhe Huawei i Kinës dominojnë tregun civil 5G.Aftësitë e avancuara ushtarake dhe teknologjike të dy vendeve vijnë nga të qenit jashtë NATO-s, tha Berzina.”Ata janë të mirë në gjithçka,” tha ajo, “sepse ata ishin vetëm.”