Qeveria dhe kompanitë në Shqipëri ndërhyjnë rregullisht në të drejtat kolektive të punës ose dështojnë në garantimin e aspekteve të këtyre të drejtave.
Këto shkelje bëhen për shkak të boshllëqeve ligjore apo mungesës se disa praktikave të garantimit të të drejtave të punës, thuhet në indeksin e të Drejtave Globale të Punonjësve, të publikuar më 30 qershor nga Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave.
Shqipëria mbeti në nivelin e tretë në këtë indeks, që bazohet në një sistem pikës nga një deri në pesë, sipas të cilit, radhitja me pikën një nënkupton respektim maksimal të të drejtave në punë dhe pesë është niveli më i ulët.
Përfaqësues të organizatave për të drejtat e punëtorëve thonë se mosrespektimi i të drejtave të punëtorëve lidhet edhe me mosfunksionimin e organizatave sindikale.
Elson Jaçaj, është infermier në Shqipëri. Ai ka punuar prej vitit 2009 në urgjencës e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Por, është pushuar nga puna për shkak se ka denoncuar për kushtet e këqija në punë.
“Në 2018 jam pushuar nga puna nga drejtoria e spitalit, pasi kisha disa kohë që ngrija zërin edhe në media për kushtet e punës, pagat e ulëta, presionet në punë. Isha drejtues i Shoqatës së Infermierëve, kështu që e ndieja detyrim të ngrehja zërin. Ishte një vendim i pritshëm për mua, duke e ditur se si funksionon sistemi i shëndetësisë”, thotë Jaçaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se fillimisht se në vendimin për largim nga puna, drejtoria e spitalit kishte shkruar si motiv “shkelje e kontratës individuale”. Më pas atij i dorëzuan një tjetër shkresë ku thuhej se Jaçaj kishte “shkelur rregulloren e brendshme të Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ (QSUT)”.
“As unë dhe asnjë koleg i imi nuk ishim njohur ndonjëherë me këtë rregullore, që të pretendohej se e kisha shkelur. Dolën shumë vetë vullnetarë për ta ndjekur çështjen time sepse ishte e dukshme që nuk kisha asnjë shkelje. E fitova në gjykatën e Shkallës së Parë, ndërsa drejtoria e spitalit e apeloi, procesi do të zgjatet shumë për shkak të problemeve që po kalon drejtësia, kështu që nuk kam më nerva për ta ndjekur sepse e di se si do të përfundojë”, thotë infermieri që është larguar nga puna në sistemin shëndetësor publik.
Përveç anës ligjore, Jaçaj ka ngritur zërin edhe pranë organizatave sindikale në Shqipëri, me qëllim që, siç thotë ai, “të mos e pësonin” edhe kolegët e tij.
Por, nga sindikatat ai nuk mori asnjë mbështetje.
“U jam drejtuar sindikatave në Shqipëri. Kam shkuar te Konfederata e Sindikatave dhe tl Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Fatkeqësisht, të dy këto organizata sindikale janë lidhur me politikën në vend. Nuk duan të përfshihen në çështje madhore se ju prishen interesat e tyre personale. Edhe Sindikata për punonjësit e Sistemit Shëndetësor asnjëherë nuk ika mbrojtur këta punonjës. Mbështetje kam gjetur vetëm te Komisioneri kundër Diskriminimit”, thekson ai.
Sipas Jaçajt, pas gjithë këtij procesi, ai u punësua në sektorin privat, ku thotë se “respektohen të drejtat e mia.
“Në sistemin shëndetësor publik kushtet e punës janë skandaloze. Bëhet presion sa herë ka zgjedhje, premtohet rritje page dhe asnjëherë nuk bëhet”, thotë infermieri Elson Jaçaj.
Sipas Qendrës për të Drejtat në Punë (CLR) ankesat më të mëdha bëhen për vonesa në dhënie page e shlyerje kontributesh, cenim i marrëdhënieve të punës, largim të padrejtë nga puna, mospagesë për orët e punës shtesë, mospagesë të punës me turne, mospagesë të orëve të punës gjatë pushimit javor apo festave, punësimi joformal si dhe të punësuar që deklarohen se marrin pagë minimale.
Gazetari i televizionit Ora News në Shqipëri, Isa Myzyraj, u përball me kërcënime dhe u padit për shpifje nga një prokurore që u shkarkua gjatë procesit të vetting-ut.
Shkak për shkarkimin e saj gjatë procesit që vlerëson pastërtinë e figurës së punonjësve të sistemit të drejtësisë u bënë postimet e Myzyrajt për prokuroren, që ai i postoi në llogaritë e tij në rrjetet sociale.
“Kam marr kërcënime dhe jam shantazhuar për shkak të postimeve. Prokurorja më hodhi në gjyq. Jo mbrojtje, por as ndihmë nuk kam pasur nga organizatat e gazetarëve. Organizatat e gazetarëve dhe mediave në Shqipëri janë inekzistente. Janë organizata që puna e tyre është tërësisht jo transparente. Nuk reagojnë në raste sulmesh ndaj gazetarëve. Nuk kryejnë këtë funksion. Isha një person që po shkoja në gjyq. Ky proces kishte shpenzime dhe nuk mora asnjë përkrahje”, tha ai.
Rasti i Isa Myzyrajt mori shumë vëmendje në fillim të vitit 2022 pas angazhimit të organizatave ndërkombëtare të mediave.
Ai i është drejtuar Qendrës Evropiane për Lirinë e Mediave dhe organizatave të tjera, që thotë se i ofruan ndihmë financiare dhe mbështetje për procesin gjyqësor.
“Mora mbështetje nga thuajse të gjitha organizatat ndërkombëtare. Tek ata dorëzova të gjitha provat që isha i kërcënuar. Ndihem i shqetësuar, jo pse jam dërguar në gjyq. Të gjitha postimet e mia janë ende publike. I mbroj dhe sot deri në fund të këtij procesi. Ajo që më shqetëson më shumë është mosfunksionimi i organizatave vendase. Ka pasur shqetësime të kolegëve vendas dhe të huaj për këto organizata. Këto organizata kanë dështuar për të mbrojtur gazetarët dhe punonjës të tjerë të medias. Në këto kushte ne detyrohemi që t’i drejtohemi organizatave të tjera ndërkombëtare që punojnë çdo ditë”, thotë Myzyraj për REL-in.
Drejtuesi i Qendrës për të Drejta në Punë, Edison Hoxha, thotë se në qendrën që ai drejton deponohen ankesa nga sektorë të ndryshëm.
“Kemi raste nga punonjës të qendrave të thirrjeve, nga sektori i ndërtimit, naftëtarët, punonjësit e pastrimit, të shëndetësisë dhe arsimit. Me gazetarët kemi bashkëpunuar në vazhdimësi dhe kemi folur edhe për ngritjen e një sindikate, por nuk kemi konkretizuar gjë për shkak të frikës së gazetarëve për t’u bërë bashkë për të kërkuar të drejtat e tyre në punë”, thotë ai.
Hoxha e pranon se sindikalizmi nuk funksionon dhe deri te kjo situatë kanë ardhur për disa arsye.
“Arsyet se përse nuk funksionojnë sindikatat janë të ndryshme. Ato më të rëndësishmet kanë të bëjnë me humbjen e besimit të punonjësve. Për shkak të zhgënjimit që kanë pasur kur janë angazhuar në sindikata, nuk kanë gjetur mbështetjen që prisnin sepse sindikatat janë rreshtuar krah punëdhënësve, qoftë në sektorin publik apo në atë privat. Gjithashtu, edhe mungesa e angazhimit të institucioneve për të dhënë zgjidhje, është një arsye tjetër. Por, problem mbetet zbatimi i ligjit kur punonjësit kanë kërkuar të drejtat e tyre në punë”, thotë Hoxha.
Në vitin 2015, në një takim me investitorë italianë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte ftuar ata që të investonin në Shqipëri, duke deklaruar se do të gjenin krah të lirë pune “dhe nuk ka sindikata që t’iu bezdisin”. Vetë drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe të Konfederatës së Sindikatave e kanë pranuar se roli i sindikatave është zbehur. (REL)