Luftëtarët e grupit mercenar rus Wagner, që tani janë në Bjellorusi, mund të paraqiten si migrantë dhe të hyjnë në Bashkimin Evropian, ka thënë kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, raporton BBC. Sipas tij, Wagneri edhe mund të ndërmjetësojë migrim të paligjshëm nga Bjellorusia në bllokun evropian, veprim që Polonia e përshkruan si “luftë hibride”. Morawiecki njoftoi se më shumë se 100 anëtarë të grupit Wagner ishin zhvendosur në Bjellorusinë veri-perëndimore, afër qytetit Grodni. Ai pretendoi gjithashtu se mercenarët mund të paraqiten si roje kufitare bjelloruse për të ndihmuar migrantët të kalojnë në BE, apo edhe të pretendojnë se janë vetë emigrantë për të hyrë në bllok.
“Tani situata është duke u bërë edhe më e rrezikshme. Ky është sigurisht një hap drejt një sulmi hibrid ndaj territorit polak”, ka thënë ai në një konferencë për media, pasi vizitës në një fabrikë armësh në jug të Polonisë.
Kryeministri polak ka thënë se këtë vit janë regjistruar 16.000 tentime për të kaluar kufirin nga Bjellorusia në Poloni.