Më 5 korrik 1987, u nda nga jeta Vexhi Buharaja, poet, përkthyes, shkrimtar, historian dhe orientalist, njohës i dhjetë gjuhëve kryesore lindore e perëndimore.
Buharaja lindi më 12 maj të vitit 1920, në lagjen “Murat Çelepi” në Berat. Rridhte prej një familjeje intelektuale, me trashëgimi të pasur fetare, kulturore e atdhetare. Babai i tij, Ibrahim Efendi, ishte hoxhë, myderriz, atdhetar, si edhe gjyshi i tij, Ismail Efendi, që të dy, burra të përmendur për dituri, në Berat e nëpër Shqipëri.
Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Berat. Pas kësaj vazhdoi studimet në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 si një nga studentët më të dalluar.
Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20-vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuajshme fetare, diturore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë.
Në rrafshin e përkthimit njihet ndër të tjera për shqipërimin nga gjuha perse të veprave të Naim Frashërit. Në shtypin shqiptar, emri i tij do të lakohej më së shumti me publikimet e tij në revistën “Kultura Islame”, kryesisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, Buharaja ka kontribuar në përkthimin në shqip të dokumenteve në gjuhën osmane të Insitutit të Historisë dhe të Arkivit Qendror të Shtetit./