Spas analizave të fundit vendosja e taksës së karbonit ndaj artikujve të luksit rezulton të jetë mënyra më e drejtë dhe efektive për reduktimin e emetimeve. Taksat e karbonit janë tarifa që kompanitë duhet të paguajnë për çdo ton karbon të emetuar mbi kufirin e caktuar
Një studim i botuar këtë javë në revistën akademike ‘One Earth’ ka zbuluar se taksimi i artikujve luksozë do të ishte më efektiv në reduktimin e prodhimit të karbonit sesa skemat aktuale. Taksimi i artikujve luksozë si fluturimet dhe SUV-të do të zvogëlonte më shumë emetimet e gazeve serrë sesa një taksë totale e karbonit për të gjitha mallrat.
Taksat e karbonit janë tarifa që kompanitë duhet të paguajnë për çdo ton karbon të emetuar mbi kufirin e caktuar. Qëllimi i taksës është të inkurajojë prodhuesit dhe shpërndarësit që të zvogëlojnë gjurmën e tyre të karbonit dhe të investojnë në procese alternative, më miqësore me mjedisin, prodhimi ose shpërndarjeje.
Aktualisht, taksat e karbonit janë të njëjta në të gjithë sektorët ekonomikë – pavarësisht nga produkti apo shërbimi që shitet. Shpesh, të ardhurat nga kjo taksë vendosen për kërkimin dhe zhvillimin e energjisë së gjelbër.
Njëzet e shtatë vende aktualisht kanë taksa të konsiderueshme të karbonit: Argjentina, Kanadaja, Kili, Kina, Kolumbia, Danimarka, Bashkimi Evropian, Japonia, Kazakistani, Koreja e Jugut, Meksika, Zelanda e Re, Norvegjia, Singapori, Afrika e Jugut, Suedia, Britania e Madhe dhe Ukraina.
BE-ja ka skemën e saj të emetimeve të quajtur EU ETS e cila u krijua në 2005 – ën. Kompanitë që janë pjesë e EU ETA mund të blejnë dhe shesin karbon që lejohen të emetojnë sipas kësaj skeme, përpara se të dorëzojnë lejet e tyre në fund të vitit.
Çdo vit BE-ja redukton kufirin, duke rezultuar në një rënie prej 43 % të emetimeve nga prodhimi i energjisë dhe nxehtësisë dhe sektorët industrialë me intensitet energjie që nga fillimi i tij.
Megjithatë, disa studiues besojnë se kjo është një mënyrë joefektive për të reduktuar emetimet e amvisërive, pasi disa produkte me karbon të lartë si ngrohja dhe karburanti janë artikuj thelbësorë për jetën e përditshme. Me një tarifë totale të karbonit, familjet me të ardhura të larta dhe me të ardhura të ulëta tarifohen njësoj, duke penalizuar në mënyrë disproporcionale ata me paga më të ulëta.
Studiuesit modeluan rezultatet e taksimit të karbonit vetëm për luksin në 88 vende, që përfaqësojnë afërsisht 90 % të popullsisë globale. Produktet e përcaktuara si “luks” ndryshonin sipas vendndodhjes, bazuar në mënyrën se si konsumatorët kishin gjasa t’i përgjigjeshin çmimeve të rritura.
Duke marrë si shembull SHBA-në, ekipi aplikoi një taksë uniforme të karbonit prej 150 dollarë për ton dhe e mati atë kundrejt një takse të ndryshueshme për mallrat e luksit. Ngrohja e shtëpisë u modelua me 100 dollarë për ton, pajisjet shtëpiake me 200 dollarë për ton dhe paketa e pushimeve me 300 dollarë për ton. Taksa uniforme rezultoi në një reduktim mesatar kombëtar të emetimeve prej 4.4 %. Sipas taksës për mallrat e luksit, kjo u rrit në 4.8 %.
Gjetjet sugjeruan se nëse të gjitha 88 vendet do të miratonin taksat e luksit, ka të ngjarë të jepte 75 % të reduktimeve të emetimeve të nevojshme për të mbajtur ngrohjen globale nën 2°C deri në vitin 2050.