Papunësia në radhët e të rinjve është kthyer në një shqetësim, si për bizneset që kanë kërkesë të lartë për punonjës por edhe për shtetin që përmes politikave publike synon të nxisë këtë kategori që të integrohet në treg.
Referuar të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç, të cilët nuk janë të punësuar, nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 25,2 % të të rinjve gjithsej. Në këtë grup 41,8 % e të rinjve janë të papunë. Pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (8,9 %), duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (10,6 %), ose për arsye të tjera (38,7 %).
Duke krahasuar të rinjtë të cilët nuk janë të punësuar, nuk janë duke ndjekur shkollën apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, vihet re se meshkujt janë më aktivë në treg sesa femrat (50,9 % e meshkujve janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa tek femrat kjo përqindje është 34,4 %).
Faktorët lidhen më së shumti me pagat që ofrohen për të rinjtë pa eksperiencë të cilat janë të ulëta, gjë që i dekurajon ata, por edhe me pritshmëritë e larta që ka kjo kategori lidhur me kushtet e punës, pozicionet, oraret, etj. Nga ana tjetër, trendi i ikjes së punonjësve të kualifikuar duket se ka “infektuar” edhe radhët e të rinjve të cilët synojnë më së shumti tregjet europiane për të ndërtuar jetën e tyre.