MENU
klinika

Kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit

Topuzi: Këtë vit të hapim dritaren për turizmin elitar

22.07.2023 - 09:37

Zak Topuzi, kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, i ftuar në “A2 Business” nga Aurora Sulçe në A2 CNN foli në lidhje me përballimin e fluksit të madh të turistëve që kanë vizituar vendin tonë muajt dhe vitet e fundit, sidomos pas pandemisë.

Sipas Topuzit, 2023-i pritet të jetë një vit mjaft i mirë, megjithatë sipas tij nevojitet përmirësimi i cilësisë dhe shërbimeve, ndërsa shtoi se, Shqipëria duhet të jetë e kujdesshme në profilin e turizmit që duhet të zgjedhë.

Topuzi tha më tej se mungesa e fuqisë punëtore në këtë sektor mbetet prioritet, megjithëse është një problem me të cilat po përballen të gjitha vendet dhe jo vetëm Shqipëri apo Ballkani.

Z. Topuzi si ka nisur për ju dhe a po e përballoni këtë rritje të fluksit të turistëve?

Do të jetë një vit i mirë. Do të jetë më i miri ndoshta pas vitit 2022. Rritja e numrit të turistëve nuk është pozitive për momentin, pasi për momentin ne duhet të rrisim cilësinë dhe shërbimet. Kemi futur vitet e fundit hotele me pesë yje, kemi futur paketa të ndryshme shërbimesh.

Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të zgjedhur llojin e turizmit që duhet të bëjë Shqipëria. Gati 94 për qind janë turistë që vijnë nga Evropa, ne duhet të jemi të kujdesshëm në politikën e turizmit që do të ndjekim.

Duhet të paraprijmë dhe të hapim dritaren për turizmin elitar, që siguron 22-24 për qind të të ardhurave. Mungesa e fuqisë punëtore po shfaqet në të gjithë spektrin e turizmit evropian, që nga ato me të zhvilluara deri në vendet e Ballkanit. Kjo do të jetë sfida më e madhe për momentin, sigurimi i fuqisë punëtore.

Zak Topuzi