MENU
klinika

Ngre akuzat për 9 të pandehurit

Tragjedia në Potam/ Prokuroria përfundon hetimet

11.07.2023 - 13:49

Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimet për ngjarjen e Himarës ku humbi jetën e mitura Jonada Avdia. Në njoftimin zyrtar, Prokuroria bën të ditur se ka marrë të pandehur përveç drejtuesit të skafit dhe 9 zyrtarë të policisë dhe bashkisë Himarë, të cilët do të hetohen për veprën penale të “Vrasje me dashje” dhe “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 76 dhe 248 i Kodit Penal.

Nga hetimet ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit nga ana e drejtuesit të mjetit lundrues Arjan Tase, të zonës së përcaktuar (kufizuar) për notarë si dhe manovrës së gabuar në drejtimin e mjetit.

NJOFTIMI I PLOTË:

Prokuroria Vlorë përfundon hetimet për ngjarjen e Himarës ku humbi jetën e mitura J.A., akuzat për 9 të pandehurit. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr.918/2022 aktet e të cilit bëjnë fjalë për veprën penale të “Vrasje me dashje” dhe “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 76 dhe 248 i Kodit Penal. Fakti penal i referohet ngjarjes së datës 02.08.2022, të ndodhur në zonën e Potam, Himarë, ku ka gjetur vdekjen e mitura J.A., si pasojë e përplasjes nga mjeti lundrues ujor MERCURI, NENA 154, në drejtimin e të cilit ka qënë shtetasi A.T. Nga hetimet ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit nga ana e drejtuesit të mjetit lundrues shtetasit A.T., të zonës së përcaktuar (kufizuar) për notarë si dhe manovrës së gabuar në drejtimin e mjetit.

Hetimet janë përqëndruar në institucionet përgjegjëse të ngarkuara për zbatimin e sigurisë në plazhe gjatë sezonit turistik dhe konkretisht Bashkia Himarë, Komisariati Himarë si dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, duke u marrë në cilësinë e të pandehurve shtetasit:

A.T., për veprën penale të “Vrasje me dashje” në mënyrë indirekte parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal; F.M., me detyrë shef i sektorit të kufirit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Vlorë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës “parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; N. B., me detyrë shef stacioni në Stacionin e Policisë Kufitare, Dhërmi, në sektorin e kufirit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; L. A., B.M. dhe K.H., me detyrë trupa shërbimi në mjetin lundrues BP06, të ngarkuar me kotrollin e vijës bregdetare në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi, Vlorë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; A. D. me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shperdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; dhe B. A. dhe A.B., me detyrë përgjegjës dhe punonjës të Policisë Bashkiake në Bashkinë Himarë, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal si punonjës që kanë kryer kontrolle periodike në vendin e ngjarjes.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht 2022. Vogëlushja 7-vjeçare Jonida u përplas për vdekje nga një skaf që drejtohej nga ish-shefi i komisariatit të Himarës, Arjan Tase. Ajo po lahej me të atin në plazhin e Potamit, por skafi i ndau. E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Për këtë ngjarje të rëndë është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës, por protestuesit nuk janë mjaftuar me kaq. Ata kërkojnë dorëheqjen e ministrave Çuçi, Kumbaro dhe Nanos. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan, por Gledis Nano e përjashtoi përfundimisht nga policia. Ai është lënë në burg.