MENU
klinika

Ministrja Kushi: Mundësi e shkëlqyer për të gjithë studentët, shqiptarë dhe italianë

Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës program të dyfishtë me Universitetin Politeknik të Barit

10.07.2023 - 14:00

Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës dhe Universitetit Politeknik të Barit në Itali nënshkruan sot protokollin ekzekutiv për programin e dyfishtë Bachelor në “Inxhinieri Mekanike” në një ceremoni të përgatitur në Vlorë.

E pranishme në këtë ceremoni, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi në fjalën e saj u shpreh se ky program studimi të përbashkët dhe i dyfishtë është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë studentët, edhe studentët shqiptarë, por edhe studentët italianë, sepse është një program studimi inxhinieri mekanike, një kurrikul moderne, por edhe një program që do të angazhojë pedagogë ndër më të mirët që të dyja universitetet kanë, pedagogë me përvojë, të përkushtuar, profesionistë dhe që janë shumë të apasionuar pas kësaj fushe.

Ndërkohë ministrja bëri edhe një sugjerim për universitetin e Vlorës, për të shtuar programet e studimit në gjuhë të huaj, veçanërisht në gjuhën angleze, por edhe gjuhë të tjera, pasi studentët jo vetëm nga rajoni por edhe Evropa, e shikojnë Vlorën si një destinacion atraktiv jo vetëm turistik, por edhe për të vazhduar studimet, siç janë edhe studentët e ardhur në Vlorë në kuadër të programeve Erasmus.

Znj. Kushi nuk la pa përmendur edhe Vendimin e Këshillit të Ministrave për programet prioritare dhe mbështetjen studentore me bursa sa paga minimale, ku ftoi që të gjithë maturantët, të rinjtë e të rejat, jo vetëm të Vlorës, por nga gjithë Shqipëria t’i vlerësojnë këto programe sepse mbështetja e Ministria e Arsimit dhe Sportit është vërtetë e konsiderueshme.
“Këtë vit ne e kemi ndryshuar Vendimin e Këshillit të Ministrave edhe për sa i takon kritereve të mesatares, apo ruajtjen e mesatares përgjatë periudhës së studimeve, pikërisht për t’i dhënë sa më shumë mundësi, për të patur sa më shumë përfitues, po edhe për t’i mbështetur gjatë gjithë periudhës së studimeve, jo vetëm për vitin kur përzgjedhin programin e studimit” – u shpreh Ministrja Kushi.

Kushi shprehu mbështetjen e ministrisë dhe të qeverisë për universitetin e Vlorës, ndërsa kërkoi forcimin e bashkëpunimit mes Bashkisë së Vlorës dhe universitetit.
“Është fat për çdo qytet që të ketë një universitet. Universiteti duhet të jetë katalizator, avangard për sa i takon mendimin shkencor, kritik, por edhe vizionit për zhvillimin e qytetit. Jam e bindur që edhe bashkia ka shumë nevojë për mendimin vizionar të universitetit. Por edhe universiteti ka shumë nevojë të bashkëpunojë me bashkinë por edhe me institucionet e tjera, në mënyrë që të ketë sa më shumë projekte të përbashkëta për zhvillimin e qytetit” – tha ministrja.