5 persona janë shoqëruar në polici në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Balldre, Lezhë, ku u eksekutua Nikolim (Marku) Lekstakaj.
Personat që janë shoqëruar në polici, janë pyetur në lidhje me vrasjen e Lekstakajt. Ende nuk ka asnjë të dyshuar si autor për këtë ngjarje.
Policia ka sekustruar edhe kamerat e sigurisë, nga ku pritet të dal edhe detaje për lëvizjet e autorit dhe mjetin me të cilin u largua nga vendngjarja pasi kreu vrasjen.
42-vjeçari që u vra ishte babai i tre fëmijëve që kishte jetuar për disa vite në Angli dhe ishte kthyer prej kohësh në vendlindjen e tij.
Viktima njihej me nofkën ”Toli”. Ai qëllua rreth 300 metra larg nga banesa, sapo doli nga dyqani me një pije freskuese në dorë, ndërsa ndodhej në shoqërinë e vëllait të tij.
Bëhet e ditur se viktima i kishte shpëtuar edhe një atentati në vitin 2012, ku një sasi lënde plasëse ishte vendosur në mjetin e tij dhe shpërtheu gjatë lëvizjes, por Lekstakaj asokohe nuk u dëmtua.
Ndërkohë motivi i vrasjes dyshohet hakmarrja mes fisit Nikulaj dhe Lekstakaj, një konflikt i nisur prej vitit 1997 dhe që ka sjellë disa viktima nga të dy fiset.