MENU
klinika

Përballja e konsumatorëve shqiptarë

Zarzavatet 26% më të shtrenjta se vitin e kaluar

29.07.2023 - 19:53

Shqipëria renditet ndër 12 shtetet me çmimet më të ulëta, vjet ishte mes 5 shteteve

Ushqimet mbeten të shtrenjta në vendin tonë. Konsumatorët shqiptarë vijojnë të përballen me çmime të larta, të produkteve ushqimore përfshi edhe ato të stinës, pra zarzavatet dhe frutat. Por në një kohë që çmimet kanë pësuar rritje, inflacioni sipas matjes kombëtare ka pësuar një ulje të lehtë për muajin Qershor duke arritur në 4.5% nga 4.7% që ishte në Maj.

Ndërkohë që ndryshe rezulton inflacioni i matur sipas metodologjisë së Eurostat, i cili reflekton rritje.

Sipas metodës së Eurostat inflacioni në vendin tonë erdhi në rritje në muajin Qershor, duke arritur në 5.8%, rritje kjo që u reflektua që në muajin Maj,ku inflacioni sipas metodoloogjisë së BE-së u rrit nga 5% që ishte në Prill 5.6%.

Shqipëria, ndryshe nga një vit më parë që rezultonte një ndër 5 shtetet që kishte inflacionin më të ulët në krahasim me 27 vendet e BE, në Qershor të këtij viti renditet vendi i 12, duke iu afruar inflacionit mesatar të BE që është 6.4%. Ndërsa rekord mban Hungaria me inflacion gati 20%.

Pavarësisht ndryshimeve të inflacioneve në bazë të metodologjisë së matjes, për muajin Qershor dy janë kategoritë që kanë çmime më të larta, “ushqimet dhe pijet joalkoolike” dhe “argëtim e kulturë”, duke u rritur me 10.3% secili në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

“Argëtim dhe kulturë” janë një kategori që kanë pësuar rritje të ndjeshme për shkak dhe të sezonit veror. Rritje kanë pësuar edhe grupet “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,8 %, “Veshje dhe këpucë” me 4,4 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme”me 4 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 26,1 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 14,4 %, “mish” me 10,9 %, “fruta” me 9,6 %, “peshk” me 9,0 %, “bukë dhe drithëra” me 4,0 %, etj.